Shpend Maxhuni: Siguria është stabile

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, thotë se policia ka kapacitetet e nevojshme për të luftuar terrorizimin dhe krimin e organizuar.

Shpend Maxhuni: Siguria është stabile

Sipas tij, Policia e Kosovës gjatë 17 vjetëve të ekzistimit të saj ka shënuar ngritje profesionale dhe tani është ndër institucionet me kredibilitetin më të lartë në vend. Ai mohon se policia dirigjohet nga Qeveria dhe Presidenca, shkruan Zëri.

Ai ka thënë se, me gjithë incidentet e shkaktuara kohëve të fundit, gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë dhe stabile. Sipas tij, prioritet i policisë është siguria dhe funksionimi i shtetit ligjor.

Ai ka vlerësuar se terrorizmi është një sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet më të zhvilluara në rajon dhe në botë. Megjithatë, ai ka thënë se policia kosovare ka kapacitetet e nevojshme për luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin, krimet kibernetike, ekonominë informale dhe të gjitha dukuritë tjera negative në shoqëri.

Ai gjithashtu ka thënë se Policia e Kosovës i nënshtrohet vetëm kontrollit civil demokratik, siç është e paraparë në Kushtetutë e ligje, dhe se nuk është në shërbim të subjekteve apo individëve të caktuar.