Shpend Maxhuni edhe pesë vjet tjera në krye të Policisë

Shpend Maxhuni edhe pesë vjet tjera në krye të Policisë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që drejtorit aktual të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, emri i të cilit është përmend edhe në serinë e XVII të “Dosjes së Shefave” të publikuara nga Insajderi, t`i vazhdohet edhe një mandat në krye të policisë.

Adem Grabovci në përgjime deklarohej se kishte autoritet edhe mbi “komandantin” e Policisë. Këtë autoritet ai e shpreh gjatë bisedës me një kandidat, të cilit i garanton se emrin e tij dhe të pesë tjerëve ia ka dhënë direkt drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Maxhunit i përfundon mandati këtë vit,  por me vendimin e ri të Qeverisë ai do të jetë edhe 5 vjet të tjera duke drejtuar Policinë e Kosovës.

Propozimi për vazhdimin e mandatitit erdhi nga ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.

“Bazuar në performancën nga Shpend Maxhuni me qëllim që të vazhdohet puna me një kontinuitet të tillë dhe të forcohet ky institucion, propozojë që drejtorit të përgjithshëm t`i vazhdohet mandati në pajtim me legjislacionin”, tha Hyseni.

Kryeministri Isa Mustafa tha se janë pajtuar që Maxhuni të jetë edhe për një mandat tjetër drejtor i këtij institucioni, “pas vlerësimit të punës së policisë në  periudhën e kësaj qeverie por edhe punën e  mëhershme”. /Insajderi.com