Shpend Ahmeti tregon se kush do ta zëvendësojë Dardan Sejdiun

Shpend Ahmeti tregon se kush do ta zëvendësojë Dardan Sejdiun

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar se nënkryetarin e komunës, Dardan Sejdiun, do ta zëvendësoj, Muhedin Nushi.

“Z. Nushi është me profesion ekonomist por në Komunën e Prishtinës njihet si drejtor i administratës që ka bërë avancime të dukshme në dixhitalizimin e shërbimeve, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e proceseve. Këto kanë rezultuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve në Komunën e Prishtinës”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.

Ahmeti ka falënderuar Dardan Sejdiun për “arritjet e përbashkëta në komunë duke realizuar premtimet tona të vitit 2013”, ka shkruar Ahmeti ndër tjerash.

“Ka qenë kryetar po aq sa edhe unë, duke e mbajtur një pjesë të madhe të barrës në përgjegjësitë tona në komunë. Dardanit i uroj sukses në Kuvend, duke ditur se atje do të jetë përfaqësues i denjë i komunës tonë dhe përfaqësues i qëndrimeve të Lëvizjes duke vazhduar luftën kundër korrupcionit dhe luftën për zhvillim të Republikës tonë”, ka përfunduar Ahmeti.

Dardan Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga ky post, për të marrë detyrën e deputetit të Kuvendi të Kosovës. /Insajderi.com