Shpend Ahmeti revoltohet me protestuesit që mbrëmë shkuan te shtëpia e tij

Shpend Ahmeti revoltohet me protestuesit që mbrëmë shkuan te shtëpia e tij

Rreth 40 gra, së bashku me fëmijët e tyre, të cilët janë larguar nga banesat në lagjen Dardania të martën rreth orës 20, kanë shkuar te shtëpia e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti,  në lagjen NIC, duke kërkuar nga ai sqarime lidhur me largimin e tyre nga banesat .

Në një audio-incizim të cilin e ka siguruar Ekonomia Online, dëgjohet se ka pasur biseda të tensionuara e me tone të ngritura ndërmjet protestuesve dhe kreut të Komunës.

Mes tjerash, Ahmeti përmend me emër kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të cilin e fajëson se i ka gënjyer banorët. “Hamdi Ibrahimi po ju rren”, ka thënë Ahmeti.

“Ngomni mirë çka po ju them, në qato banesa nuk keni me ndejt… Unë i kam 300 mijë banorë”.

“Qe dy vjet po j them aman hajdeni të bëjmë zgjidhje se kanë me ju qit”, vazhdon ai.

“Qysh po më bërtet”, i drejtohet një grua. “Qysh të doket me t’i bërtit dikush gruas tande”.

“Mos më hajdeni te shtëpia… Mos hajdeni këtu me rrena të Hamdi Ibrahimit”, thotë Ahmeti, dukshëm i shqetësuar nga vizita.

Më 19 dhe 26 shtator, Policia e Kosovës ka zbatuar një urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke larguar 12 familje nga banesat në lagjen “Dardania”, që sipas gjykatës i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë.

Banorët e fajësojnë kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, i cili sipas tyre po kërkon ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për largim. Ahmeti thotë se nuk mund të ndikojë në vendimet gjyqësore. Ndërkohë, që ai ka premtuar se do të bëhet zgjidhje për strehim vetëm për familjet që janë raste sociale.