Shpend Ahmeti nuk merret vesh me Vetëvendosjen për ndarjen e drejtorive në Prishtinë

Shpend Ahmeti nuk merret vesh me Vetëvendosjen për ndarjen e drejtorive në Prishtinë

Pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetari i tanishëm i Komunës së Prishtinës njëherësh edhe kryetar i PSD-së, Shpend Ahmeti është përballur me probleme të funksionimit të qeverisjes në Prishtinë.

Madje kjo ishte reflektuar edhe në asamblenë Komunale të Prishtinës. Ahmeti këto ditë akuzoi Vetëvendosjen që është bashkuar me PDK-në e LDK-në për të mundësuar mosfunksionimin e Kuvendit Komunal.

Pavarësisht kësaj, Ahmeti ka vendosur që t’i dorëzoj ofertën finale ish-subjektit të tij politik Vetëvendosjes, për bashkëqeverisje në Prishtinë.

Në ofertën e fundit, Ahmeti i ofron VV-së katër drejtori, duke i ofruar mundësinë e zgjedhjes së drejtorisë së katërt në mes të drejtorisë së Shërbimeve Publike ose drejtorisë së Administratës, të cilën e udhëheq drejtori Muhedin Nushi.

Në rast të arritjes së marrëveshjes në mes PSD-së dhe VV-së për bashkëqeverisje atëherë ndarja e drejtorive në Komunën e Prishtinës do të jetë si vijon: ” PSD – 3 drejtori, AKR – 3 drejtori, AAK – 3 drejtori, LB – 1 drejtori, Alternativa – 1 drejtori dhe VV – 4 drejtori”.

Eman Rrahmani, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për Insajderin rreth funksionimit të punës së Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe ofertës së ofruar nga kryetari Ahmeti.

“Fillimisht dua të them se kryetari Shpend Ahmeti ka marrë pjesë vetëm në njërën nga seancat e rregullta nga pesë sa janë mbajtur deri tani. Kjo tregon edhe një injorim të Kuvendit Komunal, mirëpo fatkeqësisht edhe një tentim të bllokimit me këto veprime të tyre në seancën e së enjtes së kaluar”, ka thënë Rrahmani.

“Të enjten e kaluar është diskutuar për shkarkimin e njërit aksionar të Ndërmarrjeve Publike të cilët janë emëruar nga kryetari pra Dren Kukaj e Qëndrim Sahiti. Vjen propozimi nga LVV që ta atë shkarkohen për shkak se kanë shkelur rregulloren me rastin e shpalljes së konkursit për anëtar të Bordit. Pas këtyre veprime dhe asaj që ndodhi në kuvend me urdhër të kryetarit largohen dhe e lëshojnë seancën asamblistët e PDK-së, AAK-së dhe AKR-së me qëllim që të pamundësojnë kuorumin për votimin e shkarkimit të tyre. Por ai kaloi dhe kuorumi nuk mungoi”, ka thënë Rrahmani.

Sipas tij, edhe të martën prapë kryetari dhe Kuvendi tentuan të kalojnë pikat e rendit të ditës jashtëligjshëm.

Sa i përket ekzekutivit, Rrahmani shprehet se kryetari Ahmeti ka sjellë një ofertë të re qesharake. “Më herët ka propozuar që 5 drejtori t’i takojnë Vetëvendosjes, kurse tani është shprehur se duhen vetëm 4 drejtori. Ne fillimisht kemi pasur kërkesë që nënkryetari i dytë t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje, por pasi që ai ka propozuar që nënkryetar të jetë Muhedin Nushi, atëherë ne jemi tërhequr nga kërkesa, pasi Nushi është një drejtor profesional dhe apolitik dhe ne kur kemi njerëz të tillë të ndershëm nuk kemi nevojë t’ua ndërrojmë vendin”, ka thënë Rrahmani, duke shtuar se për ofertën e Ahmetit duhet të mblidhet të vendosë kryesia e Vetëvendosjes.

Deri tani LVV ka pasur tri drejtori në Komunën e Prishtinës. “Unë mendoj që me këto drejtori të caktuara nuk mund të përmbushim programin 100-pikësh të cilin e kemi paraqitur te qytetari gjatë fushatës. Mendoj se edhe bashkëpunimi do të jetë shumë i vështirë, për shkak se mënyra e qeverisjes së këtij mandati nuk është ajo për të cilën kemi punuar apo që kemi pritur. Është një qeverisje që ka shumë ngecje në të gjitha drejtoritë pothuajse dhe në të gjitha projektet. Janë shumë projekte që është dashur të fillojnë dhe nuk kanë filluar, apo që kanë filluar dhe kanë ngecur”, ka thënë Rrahmani.

Ndërsa Migjen Shala, asamblist nga rashat e Partisë Demokratike (PDK) në Kuvendin Komunal të Prishtinës mohon zërat për një koalicion kundër Shpend Ahmetit. “Ka dalë në media se gjoja LDK, PDK e Vetëvendosje kanë koalicion në Prishtinë kundër Shpend Ahmetit. Kjo nuk qëndron sa i përket grupi parlamentar të PDK-së”, ka thënë Shala, duke shtuar se do të vazhdojnë të jenë opozitë konstruktive brenda Kuvendit Komunal të Prishtinës.

“Ne i shprehim shqetësimet e qytetarëve dhe i mbrojmë interesat e tyre. Seancën e fundit një asamblist nga Vetëvendosje ka propozuar shkarkimin e një anëtari aksionar të qeverisjes së Shpend Ahmetit në NPB dhe ka pasur arsye të mjaftueshme nga ana e tyre për ta shkarkuar, prandaj kemi votuar dhe ai është shkarkuar”, ka thënë Shala.

Shala shprehet se nuk do të jenë parti bllokuese në Prishtinë. “Ne koalicion nuk kemi as me Vetëvendosjen, as me LDK-në as me partinë në pushtet. Ne jemi për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Prishtinës. Ne i kemi votuar edhe pikat kur janë sjellë nga kryetari Shpend Ahmeti e që janë të dobishme për qytetarët. Çka është në të mirë të qytetarëve do ta votojmë e çka nuk është e mirë nuk do ta votojmë”, ka thënë Shala.

Shala shprehet se si grup parlamentar nuk janë të ndikuar as nga partia në nivel qendror. “Ne vendosim vetë për të gjitha çështjet që shtrohen”, ka thënë Shala.

Shala shprehet se kanë raporte të mira me asamblistët e partive të tjera, por nuk kanë afërsi me asnjë grup tjetër të asamblistëve. “Ne nuk kemi afërsi politike me asnjë grup të asamblistëve në Prishtinë. Përndryshe kemi raporte të mira me të gjithë asamblistët pa dallim”, ka thënë Shala.

Ai flet edhe për përplasjet në seancën e fundit rreth votimit të anëtarëve të Komisionit për vlerësimin e palujtshmërive. “Komisioni është i paraparë të ketë 3 anëtarë nga Kuvendi Komunal, 3 nga kryetari i Komunës dhe një nga shoqëria civile. Nga qeverisja aktuale nuk kishin ardhur emrat. Ne duam të dimë kush janë. Edhe pse emërohen nga kryetari, ata duhet të kalojnë përmes Kuvendit, pasi asamblistët duhet të dinë se çka po votojnë”, ka thënë Shala.

“Derisa nuk vijnë emrat e të propozuarve nga kryetari ne nuk mund ta votojmë, ne duam transparencë të plotë në Kuvend”, ka thënë Shala.