Ahmeti: Kam mbështetjen e Gjykatës për banesat e uzurpuara në “Dardani”

Komunikata e sotme e lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës rreth banesave të uzurpuara në lagjen "Dardania", kanë bërë që kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti të sqarohet rreth kësaj çështje.

Ahmeti: Kam mbështetjen e Gjykatës për banesat e uzurpuara në “Dardani”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka potencuar edhe njëherë tjetër se Komuna e Prishtinës nuk ka kompetenca rreth pronave të uzurpuara, pasi sipas tij, një gjë të tillë e kanë në dorë gjykatat, raporton Insajderi.

“Para disa ditëve e shpjegova rastin e banesave nê Dardani. Sot edhe Gjykata kishte dal me komunikatë ku ka shpjeguar që ky rast është i vendosur në vitin 2008 dhe që tani po zbatohet”, thotë fillimisht Ahmeti.

Gjykata ka marrë vendim 8 vjet më parë për lirimin e pronave në “Dardani”

Ndërkaq, Ahmeti thotë se “dikush vazhdon ti gënjejë disa nga banorët aty duke ju thënë se unë po vendosi se a duhet ti blejnë ata apo jo apo kam dhënë urdhërin për gjykata e për polici.”

Lideri i Prishtinës rrëfen se institucioni që i drejton mund të ndihmojë vetëm familjet që janë në nevojë sociale, por jo ato që kanë probleme të pazgjidhura me pronat.

“Sapo më vizituan para shtëpisë rreth 30 gra me fëmijë që dikush ju kishte thënë të vijnë. Ju thash edhe sot atë që e kam thënë qe sa vite. Ne kemi përgjegjësi për raste sociale dhe secilin rast të rëndë mund ta ndihmojmë por ne as nuk japim prona, as nuk marrim vendime të gjykatave e as nuk bëjmë ligje. Adresa për ato vendime është tjetërkund”, ka thënë Ahmeti.

Përmes një komunikate të lëshuar për medie, Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se kërkesa për ekzekutimin e aktgjykimit për këto prona është bërë në vitin 2008.

“Gjykata Themelore në Prishtinë rikujton edhe njëherë për opinionin se në datën 19.09.2016 është vepruar në ekzekutim të aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me lirimin e pronave të uzurpuara”, thuhet në komunikatën e lëshuar sot nga Gjykata Themelore e Prishtinës. /Insajderi.com