Shpend Ahmeti flet për borxhin e Komunës ndaj Ujësjellësit

13.08.2017 11:01
Shpend Ahmeti flet për borxhin e Komunës ndaj Ujësjellësit

Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina (KUR) së bashku me Komunën e Prishtinës në vitin 2011 kishin nënshkruar një marrëveshje 5 milionëshe për subvencionin e Fabrikës së Ujit në fshatin Shkabaj.

Këtë shumë, sipas Ujësjellësit, Komuna e Prishtinës nuk e ka paguar në tërësi.

Deri më tani Komuna e Prishtinës ka paguar vetëm 2 milionë e 553 mijë euro. Ajo i ka borxh edhe 2 milionë e 447 mijë euro.

“’KUR Prishtina’ përmes një kërkese drejtuar Komunës së Prishtinës, kërkon të transferohej pjesa e mbetur e shumës totale”, shkruan Insajderi.

Mirëpo, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë për Insajderin se mjetet të cilat është duke i kërkuar Ujësjellësi do t’ia transferojë kur së bashku me kërkesën të jetë edhe raporti i detajuar i shpenzimeve në mënyrë që t’ia bartin mjetet.

“Këto janë para të taksapaguesve të Prishtinës dhe çdo pagesë e tillë milionëshe bëhet me kujdes të shtuar te menaxhmenti financiar”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.

Ahmeti ka shtuar se “është në kontakt me të rregullt me menaxhmentin e ujësjellësit dhe me Bankën Gjermane KFW”.

Por ai ka thënë se përveç kësaj, deklaratat tjera janë politike.

“Tjerat janë deklarata politike të fushatës zgjedhore. Transferi merr një ditë”, ka përfunduar Ahmeti.

Ndërtimi i Fabrikës për përpunimin e ujit të pijshëm në Shkabaj ka arritur koston në vlerë prej 35 milionë euro.

Financues të projektit kanë qenë Qeveria e Kosovës me 5 milionë, Bashkimi Evropian me 5 milionë euro, Komuna e Prishtinës me 5 milionë euro, dhe 20 milionë “KUR Prishtina” sh.a., të cilat janë  marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese të kthimit të saj është Qeveria e Kosovës./Insajderi.com