Shpallen të pafajshëm mjekët e QKUK-së

Shpallen të pafajshëm mjekët e QKUK-së

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli të pafajshëm mjekët e Qendrës Klinike Universitare në  Kosovë  Kushtrim dhe Sebahate Gashin, të cilët akuzoheshin se në cilësinë e mjekëve kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore.

Gjykatësi Valon Kurtaj tha se prokurori i rastit nuk ka mundur të siguroj prova sa i përket veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa sa i përket pikët tjertër të aktakuzës për “ushtrimin e kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”,  Kurtaj tha se rasti në fjalë ka të bëjë me kundërvajtje administrative dhe jo me veprën  që mjekët akuzoheshin, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Me rastin e shpalljes së pafajësisë së të akuzuave, pala e dëmtuar, në këtë rast QKUK, u udhëzua në kontest civil.

Prokurori pretendonte se mjekët e QKUK-së, Kushtrim Gashi dhe Sebahate Gashi, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke marrë barna nga lista esenciale.

Sipas prokurorisë, policia në shtëpinë e të akuzuarve kishte gjetur pajisje mjekësore, në bazë të së cilës vërtetohej se ata kanë ushtruar veprimtari mjekësore, në Ordinancën Specialistike “Kirurgjike Proktologjike”, duke bërë ndërhyrje tek pacientë të ndryshëm, duke i sjellë vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë rreth 13,992 euro.

Prokurori pretendonte se të akuzuarit kanë marrë produktet medicinale, me qëllim të shitjes për pacientët e trajtuar në ordinancën e tyre. Prokuroria pretendonte se produkte medicinale me banderola të Ministrisë së Shëndetësisë, janë gjetur gjatë kontrollit në ordinancën në fjalë.