Shoqata serbe, ministrit francez: Kemi video kundër Haradinajt

Shoqata serbe, ministrit francez: Kemi video kundër Haradinajt

Një shoqatë nga Serbia e të ashtuquajturave Familje të Serbëve të Kidnapuar apo Vrarë në Kosovë, i ka dërguar një letër ministrit francez të Drejtësisë, Jean-Jacques Irvoa, përmes së cilës i ka kërkuar atij që ta ekstradojë në Serbi ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kjo shoqatë pretendon se ka në pronësi “video-incizime të të kidnapuarve serbë në disa kampe të UÇK-së”. Sipas asaj që kjo shoqatë serbe ka shkruar në letrën drejtuar ministrit francez Irvoa, thuhet se “krye të këtyre kampeve kanë qenë Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Fatmir Limaj”.

Në një letër të hapur të shoqatës, të nënshkruar nga kryetari i saj Sima Spasiç, kërkohet që Haradinaj të gjykohet në Serbi për përgjegjësi komanduese ndaj serbëve, ashtu siç ishin gjykuar edhe gjeneralët serbë në Tribunalin e Hagës.

Kjo shoqatë pretendon se Haradinaj ka kidnapuar dhe ka vrarë civilë serbë, gjatë luftës në Kosovë.

Në një letër drejtuar ministrit serb të Drejtësisë, Neli Kuburoviç dhe ministrit të Drejtësisë së Francës, Jean-Jacques Irvoa, Simiç u kujton atyre se “në muajt maj, qershor dhe korrik të vitit 1998, 10 minatorë u rrëmbyen nga miniera e Bellaqevcit, si dhe dhjetra civilë serb të Rahovecit dhe Suharekës”.

Sipas Simiç, serbët e rrëmbyer “janë mbajtur në kampe në Llapushnik, Gllogjan, Radoniq, Kleçkë dhe Malishevë”, shkruan gazeta serbe Blic.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është gjykuar më parë në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë, mirëpo është shpallur i pafajshëm.

Haradinaj u arrestua në Francë, të mërkurën e 4 janarit, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. /Insajderi.com