Shoqata e kontrolleve teknike kërkon sqarim nga ministri Lekaj

03.11.2017 14:23
Shoqata e kontrolleve teknike kërkon sqarim nga ministri Lekaj

Shoqata e Qendrave të Kontrolleve Teknike, i ka dërguar një letër ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ku i kërkohen sqarime në lidhje me udhëzimin administrativ për homologimin e veturave. Sipas tyre ky udhëzim nuk e parasheh qartë se sa pika të homologimit duhet të hapen si dhe sipas tyre është e jashtëligjshme pagesa prej 5 eurove që duhet t’i bëhet “Eurolabit”.

“Nëse bëhet liberalizimi i pikave të homologimit atëherë duhet të shënohen se është liberalizim për hapjen e homoligimit. Në sqarimin e hapjes së pikave të homologimit jepen konditat (precizohen ndërtesat) të cilat duhen të ndërtohen të pajisen me aparaturën për 4 vija të Kontrolleve Teknike”, thuhet në letrën e dërguar.

Më tej kjo shoqatë i ka dhënë vërejtje ministrit për shumën prej 5 eurove që qendrat e homolgimit kanë për detyrë t’i japin “Eurolabit”.

“Qendrat e homologimit e kanë për detyrë vetëm homologimin e veturave e jo edhe të Kontrolleve Teknike. Në vazhdim japim edhe një vërejte se me rastin e Kontrolleve Teknike që janë 120 në vend, ku ju merret dhe i bëhet pagesa 5 euro (për mjet) të cilat mjete çdo muaj duhet ti paguhet ‘Eurolabit’ për kinse mirëmbajtën e faqes të internetit, internetin, fotografimin e mjetit të gjitha këto munden me u implementuar tek secila Kontrolle Teknike ku edhe ruhen shënimet dhe nuk kemi nevojë të bëjmë harxhime dhe mbarësi për secilën ndalesë”, thuhet në këtë letër.

Më tej kërkohet që kjo ministri të qartësoi vendimin se përse qendrat e kontrolleve teknike duhet t’i bëjnë një pagesë të tillë “Eurolabit”.

“Qendrat e kontrolleve teknike janë të obliguara me një vendim për të cilin nuk kemi pranuar asnjëherë vendimin me shkrim se çfarë marrëveshje është bërë në mes të MI-së dhe kontraktuesit Eurolabit ku 120 subjekte jemi në mëshirën e QAK-ut dhe detyrimi i QAK-ut ndaj neve për pagesat obligimet të lartpërmendura”, thuhet në këtë letër./Insajderi.com