Shkup, avioni humbet nga radari. Gjendet i rrëzuar në Veles

Shkup, avioni humbet nga radari. Gjendet i rrëzuar në Veles

Avioni privat i zhdukur nga radarët e Kullës së Kontrollit Ajror të Aeroportit të Shkupit rreth orës 17:53 të kësaj të marte, është gjetur i rrëzuar në afërsi të fshatit Vetersko të Velesit.

Informacionet paraprake nga shërbimet e ndihmës së shpejtë bëjnë të ditur e avioni është në flakë, por është e pamundur t’i afrohesh vendit të ngjarjes për shkak të terrenit.

Rrëzimin e avionit e kanë konfirmuar edhe banorë të fshatit, që kanë dëgjuar një zë të fuqishëm, ndaj dhe dyshojnë se ka pasur edhe shpërthim, por pa përcaktuar nëse ka ndodhur para rrëzimit apo pas.

Në vendngjarje janë nisur shërbimet e urgjencës nga Shkupi dhe nga Veleshi. Agjencia “NOVA” e konfirmoi për Ministrinë e Punëve të Brendshme lajmin. Momentalisht dihet se avioni ishte nisur për fluturim komercial nga Trevizo në Itali, ndërsa kishte njoftuar Aeroportin e Shkupit se do të ndalej për t’u furnizuar me karburant.

Avioni i rrëzuar rezulton të jetë i tipit “Piper”, prodhim italian por i regjistruar në Gjermani, e ka kapacitet prej 6 udhëtarësh.