“Shkrirja” e inteligjencës artificiale me trurin njerëzor

28.03.2017 14:40
“Shkrirja” e inteligjencës artificiale me trurin njerëzor

Elon Musk zgjeron perandorinë e tij. Miliarderi që zotëron Teslan dhe SpaceX njoftoi kompaninë më të re të tij, “Neuralink”.

Wall Street Journal thotë se kompania e sapokrijuar është në fazën fillestare të saj dhe është regjistruar si “kompani kërkimore në fushën e mjekësisë”.

Objektivi kryesor është zhvillimi i teknologjisë që do të bëjë të mundur lidhjen e trurit njerëzor me atë artificial, pra materies sonë gri me kompjuterat.

Lidhja do të realizohet me anë të një “kordoni nervor” të krijuar në laborator, që do të implementojë në trurin njerëzor elektroda që do të ndihmojnë në përmirësimin e memories njerëzore dhe rritjen e inteligjencës.

Sipas WSJ, shkencëtarët më në zë në këtë fushë kërkimore kanë nënshkruar me kompaninë, që financohet privatisht nga Elon Musk.

Musk ka pranuar ekzistencën e kësaj kompanie dhe thotë se detaje të mëtejshme mbi aktivitetin e saj do të bëhen publike së shpejti.

Elon Musk konsiderohet si një ndër figurat më largpamëse të Silicon Valley dhe këtë e provoi me këtë hap të hedhur prej tij.