Shkrimtari nga Kosova fiton çmimin ‘Kadare’

Shkrimtari nga Kosova fiton çmimin ‘Kadare’

Çmimi “Kadare”, i kthyer tashmë në traditë në letërsinë shqipe, u akordua gjatë Ditëve Letrare të Razmës.

Ky çmim u shpall nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Miterrand me motivacionin: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”, shkruan KultPlus.

“Çmimi Kadare” 2017 u akordua nga Instituti Evropian Pashko me mbështetjen e Universitetit Evropian të Tiranës.

Në listën finale të jurisë ishin 6 autorë me veprat e tyre, nga 36 dorëshkrime nga autorë të ndryshëm nga të gjitha trevat shqipfolëse, që janë dorëzuar gjatë muajve të aplikimit për këtë çmim.

Juria prej pesë anëtarsh, e drejtuar nga shkrimtari dhe përkthyesi Bashkim Shehu, u mblodh për herë të fundit gjatë Konferencës Shkencore “Kujtesa dhe Letërsia”, e cila u organizua nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun të Universitetit Europian të Tiranës.

Vlera e këtij çmimi, që përfitoi shkrimtari Musa Ramadani, është 10 mijë euro si edhe botimi i librit nga Botimet Mapo.