Shkolla në Ratkoc e rrethuar nga mbeturinat

Shkolla në Ratkoc e rrethuar nga mbeturinat

Oborri i Shkollës së Mesme të Lartë në Ratkoc të Rahovecit është rrethuar nga mbeturinat. Avni Morina, mësimdhënës i fizikës në shkollën “12 Maji” në Ratkoc rrëfen se para se të ndërtohej shkolla, në vitin 2005, ky oborr i cili është me sipërfaqe afër 2 hektarë ishte i mbushur me mbeturina, copa betoni, hekura e plehra.

Sipas tij, atëbotë, udhëheqja e shkollës dhe kryesia e fshatit Ratkoc patën kërkuar ndihmë nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe ata erdhën nga Prishtina me të gjitha makineritë e tyre dhe e pastruan të tërin. Pastaj, në vitin 2007, në këtë vend u ndërtua objekti i shkollës, i cili në projekt kishte edhe instalimin e ngrohjes qendrore, investim i cili kurrë nuk u realizua.

Sipas Morinës, punimet e realizuara në atë kohë sollën shkollën e re, të cilës pas shumë pak vitesh filluan t’i plasarisin muret dhe të mbushen bodrumet me ujë nga vjeshta e deri në pranverë, si pasojë e mungesës së kanalizimit të duhur.

Morina ka shkruar në profilin e tij në Facebook se kryetari aktual i komunës, Idriz Vehapi dhe vartësit e tij, po e përfundojnë mandatin 4 vjeçar qeverisës dhe as edhe njëherë nuk u morën me këtë problem.

“Në fakt, për të qenë edhe më real në vlerësimin tim, ata na kanë premtuar se këtë vit gjatë muajve të verës i gjithë ky ambient do të rrafshohet e pastrohet. Por ja ku jemi sot, shkuan muajt e verës dhe sot, 5 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, gjendja mbetet e njëjtë. Ne mbesim me shpresë se mbase kur të fillojë fushata zgjedhore edhe mund ta pastrojnë”, ka shkruar Morina.

Sipas tij, në këtë shkollë të rrethuar me këtë ambient ngulfatës, kërkohet cilësi në arsim, kërkohet të zbatohen “kurrikulat”e jo “planprogramet” e reja të huazuara nga vendet skandinave dhe Kanadaja e largët.