Nga burgu në dasmë...

19.08.2017 17:47

Shkoi të festonte muajin e mjaltit por u vra në sulmin e Barcelonës

19.08.2017 19:31
Shkoi të festonte muajin e mjaltit por u vra në sulmin e Barcelonës

Autoritetet vijojnë punën për identifikimin e personave që mbetën të vrarë nga sulmi terrorist i së enjtes në Barcelonë, ku një kamion mësyu mbi turmat në zonën popullore të Las Ramblas. Viktimat i përkasin 34 kombësive të ndryshme të botës.

Italia ka konfirmuar vdekjen e dy shtetasve të saj: 35-vjeçari Bruno Gulotta, i cili lë pas dy fëmijë të vegjël.

Sipas raportimeve, ai po shëtiste me bashkëshorten e tij, e cila në momentet e fundit ia doli të tërhiqte të birin 5-vjeçar drejt sigurisë.

Viktima e dytë u identifikua nga kryeministri italian Paolo Gentiloni si 25-vjeçari Luca Russo, i cili ndodhej në Barcelonë me të dashurën e tij, që raportohet se është plagosur në sulm.

57-vjeçari spanjoll Francisco Lopez Rodriguez dhe nipi i tij tre-vjeçar janë mes viktimave, ndërkohë që bashkëshortja e tij është plagosur.

Spanja gjithashtu ka konfirmuar vdekjen e një 75-vjeçareje të quajtur Pepita Codina. Ndërkohë, viktima e vetme e sulmit në qytetin e Cambrils është identifikuar si 61-vjeçarja Ana Maria Suarez nga Saragoza në veri-lindje të Spanjës.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson konfirmoi një viktimë nga Shtetet e Bashkuara, 43-vjeçarin Jared Tucker, i cili po kalonte muajin e mjaltit në Barcelonë, me bashkëshorten e tij Heidi. Tucker lë pas tre vajza adoleshente.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau konfirmoi vdekjen e shtetasit Ian Moore Wilson, pjesë e policisë së Vankuverit. Bashkëshortja e tij Valerie raportohet të jetë ndër personat e plagosur.

Shtetasja belge Elke Vanbockrijck, e cila ishte me pushime së bashku me familjen e saj, është konfirmuar e vdekur në sulm. Ajo lë pas dy djem, 10 dhe 14 vjeç.

40-vjeçarja Silvina Alejandra Pereyra është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Argjentinës si një ndër viktimat e sulmit. Ajo mbante shtetësi të dyfishtë argjentinase e spanjolle dhe jetonte prej vitesh në Barcelonë.

Ndërkohë, 7-vjeçari Julian Cadman, një shtetas britaniko-australian është shpallur i humbur. Vogëlushi është ndarë gjatë sulmit nga mamaja e tij, e cila raportohet të jetë mes të plagosurve në gjendje kritike.

Shërbimet katalanase të Emergjencës publikuan këtë listë të kombësive të prekura në sulmin terrorist në Barcelonë.(Oranews)