Shkodrani Artan Draçini vjen me ekspozitë personale në Prishtinë

Shkodrani Artan Draçini vjen me ekspozitë personale në Prishtinë

Artan Draçini, piktori e grafisti nga Shkodra, me 22 shtator 2017, në orën 19:00, do të hapë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës ekspozitën vetjake të titulluar “E shkuara: e ardhjma e së tashmes”.

Ekspozita ka gjuhën e simbolikës të së shkuarës, që vjen si një eho këmbane në të tashmen, për të pasqyruar faktin si një keqkuptim normal dhe ironik në të ardhmen. Një proces i tillë riciklimi i ndodhive imagjinative e krijon një pjesëz Art të qëndrueshëm në sistemin e vlerave të artit modern shqiptar të shekullit që jetojmë.

Kuratorja e ekspozitës Suzana Varvarica Kuka e paraqet artistin Draçini e mbështetur në konceptin e saj se: “Artisti është faktori themeltar i imazheve, të cilat, fillimisht, i lind si ndjesi vetjake e të fshehta. Ai i ruan në burimin racional e më pas i shpërthen emocionalisht, ku bota e tij e brendshme shkapetet në të gjitha muret imagjinative. Aty, ku ndodhemi të gjithë, tek ekspozimi i tyre”.

Në ekspozitë do të paraqiten 27 punime, të cilat janë në fletë grafike që jetojnë si një grupim, si dhe në pikturë, e cila ka një gjuhë tonale – grafike, tepër emocionale dhe konvenguese me faktin historik dhe emocional.

Kjo ekspozitë shënon edhe një aktivitet të kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ekspozita do të qëndroje e hapur një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.