Shkëmbimet tregtare SHBA-Kinë

Shkëmbimet tregtare SHBA-Kinë

Presidenti Donald Trump tha të martën se “ende nuk ka asnjë marrëveshje” për të hequr një ndalim shtatëvjeçar për blerjen nga gjiganti kinez i telekomunikacionit ZTE të pjesëve të prodhuara nga kompani amerikane, që firmës ZTE i nevojiten për prodhimet e saj. Kjo çështje mund të zgjidhet në kuadër të bisedimeve tregtare mes dy vendeve. Një panel i Senatit tha se nuk do të pranonte përpjekjet e Presidentit Donald Trump për të lehtësuar sanksionet mbi krijuesin kinez të telefonave inteligjentë ZTE.

ZTE ishte një markë e panjohur për konsumatorët amerikanë deri kohët e fundit, kur ajo hyri në një luftë të madhe tregtare me Shtetet e Bashkuara.

ZTE shkeli rregullat amerikane të tregtisë duke i shitur prodhime Iranit dhe Koresë së Veriut me komponentë të prodhuar nga Shtetet e Bashkuara.

Tani kompania është pranë mbylljes nëse nuk ndërhyn Shtetet e Bashkuara për ta shpëtuar.

Presidenti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se mund të shqyrtonte një gjobë prej 1.3 miliardë dollarësh kundër kompanisë ZTE për shkeljen e ligjit amerikane për ndalimin e tregtisë me Iranin dhe Korenë e Veriut.

“Duke i mbyllur, ne po dëmtojmë shumë kompani amerikane. Kompani amerikane vërtet të mira. Mos mendoni se nuk kemi dëgjuar prej tyre për mbylljen e kësaj kompanie telefonike masive. Pra, ajo që unë parashikoj është një gjobë shumë e madhe prej më shumë se 1 miliard dollarësh. Mund të jetë 1.3 miliardë dollarë. Unë parashikoj një menaxhim të ri, një bord të ri dhe shumë rregulla shumë të rrepta të sigurisë. Unë gjithashtu parashikoj se ata do të duhet të blejnë një përqindje të madhe të pjesëve dhe pajisjeve të tyre nga kompanitë amerikane “.

Presidenti Trump tha se Presidenti kinez Xi Jinping i kërkoi atij të shqyrtonte fatin e kompanisë ZTE pasi firma tha se duhej të mbyllte prodhimin pasi Shtetet e Bashkuara ndaluan shitjen e komponentëve të prodhuar nga Shtetet e Bashkuara që ZTE-ja përdor për të prodhuar një seri produktesh teknologjike, deri në vitin 2025.

Presidenti Trump tha gjithashtu se nuk është i kënaqur me statusin e bisedimeve SHBA-Kinë për tregtinë pas negociatave të javës së kaluar mes zyrtarëve në Uashington.

Sekretari amerikan i Tregëtisë Wilbur Ross shkon në Kinë javën e ardhshme për bisedime të mëtejshme tregëtare.