Shitet në ankand xhaketa e Patrick Swayze e veshur në “Dirty Dancing”

Shitet në ankand xhaketa e Patrick Swayze e veshur në “Dirty Dancing”

Xhaketa e lëkurës që aktori i njohur Patrick Swayze veshi në filmin Dirty Dancing u shit për 62,500 dollarë në një ankand të mbajtur të premten nga shtëpia e ankandeve në Los Angeles.

Pos xhaketës edhe qindra gjëra të tjera – përfshirë dhe dërrasën e sërfit nga filmi “Point Break” dhe një këmishë të cilën e kishte veshur në filmin “Ghost” – u shitën në ankand, shkruan BBC.

E veja Lisa Niemi tha që kishte “shumë ndjenja të përziera” për shitjen e këtyre gjërave.

“Përderisa është një gjë shumë pozitive për ta bërë, është edhe shumë e vështirë. Jam një grua me fat që kisha një burrë që më ka dashur kaq shumë si Patrick”, ka thënë Lisa.

Ankandi u zhvillua edhe pse u kundërshtua fuqishëm nga mbesa e Swayze, Danielle.

“Bëhet fjalë për kujtime familjare. Është një shuplakë në fytyrë për kur shoh që ajo po shet këto kujtime të çmuara”, u shpreh ajo për shtypin.

Patrick Swayze ishte nominuar tre herë për çmimin Golden Globe. Ai u bë i famshëm si aktor në vitin 1987 nga filmi “Dirty Dancing”.

Aktori, balerini dhe këngëtari u martua me dashurinë e jetës së tij, Lisa Niemi, të cilën e takoi kur ishte vetëm 16 vjeç. Së bashku ata do të bëheshin një nga çiftet më të respektuara dhe më të admiruara të Hollivudit.

Patrick Swayze vdiq në vitin 2009 në moshën 57 vjeçare, nga kanceri në pankreas. /Insajderi.com