Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar mangësi në procesin e pagesave ndaj operatorëve që ka kontraktuar gjatë vitit 2017.
Ky institucion nuk ka paguar me kohë 30 fatura. Është vonuar në kryerjen e obligimit ndaj operatorëve deri në 60 ditë nga datë kur do të duhej të bënte pagesën.
Vlera e përbashkët e të gjitha këtyre faturave arrin në 529 mijë e 809 euro, shkruan Insajderi.
Rregullorja financiare e obligon që të gjitha faturat që i pranon institucioni duhet t`i paguaj në afatin prej 30 ditëve nëse kjo është paraparë ndryshe me kontratë.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se ky institucion e ka përsëritur këtë çështje nga vitet e kaluara.
“Si arsyetim për këtë zyrtarët e SHKK-së theksuan që gjatë vitit 2017 ishin përballur me vështirësi të alokimit të mjeteve me kohë dhe me probleme me sistemin e thesarit për të realizuar pagesat”, thuhet në raportin e zyrës së auditivit të Shërbimit Korrektues.
Përveç pagesave me kohë, Shërbimi Korrektues ka bërë blerje pa pasur paraprakisht kërkesën për blerje dhe zotimin e mjeteve siç obligohen me rregullat e Thesarit, shkruan Insajderi.
Kjo ka ndodhur në 36 raste, ku faturat e blerjeve janë dorëzuar pa pasur planifikim blerje sipas procedurave.
Ky tejkalim i obligimeve nga ShKK sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm rrisin rrezikun për pagesa të ndëshkimeve potenciale nga operatorët ekonomik.
“Hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme mund të rezultojë me obligime të cilat e rëndojnë buxhetin e vitit pasues”, thuhet në gjetjen e ZAP. /Insajderi.com