Shërbimi Korrektues mohon akuzat për “terrorizim” të aktivistit të VV-së

Shërbimi Korrektues mohon akuzat për “terrorizim” të aktivistit të VV-së

Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka reaguar përmes një komunikate të cilën e ka quajtur “sqarim” nëpërmjet së cilës shpreh “shqetësimin e thellë për deklaratat dhe akuzat e pabaza të adresuara ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan”.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se nuk ka asnjë “terrorizim” apo sjellje të pahijshme të zyrtarëve korrektues ndaj të paraburgosurve. Të paraburgosurit nuk “po enden nëpër zyra të ndryshme” siç po pretendon Lëvizja Vetëvendosje, por po dërgohen për ekzaminime të rregullta si pjesë e procedurave të paraburgimit”, thuhet në komunikatë.

Më herët gjatë ditës, VV-ja akuzoi autoritetet e burgut në Lipjan se “aktivistit në burg po i thonë ‘mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti’”.

Shërbimi Korrektues nëpërmjet kësaj komunikate ka lajmëruar se ka marrë masa shtesë mbikëqyrëse dhe të kujdesit ndaj të paraburgosurve.

“Kujdesi i shtuar i zyrtarëve korrektues, është në funksion të sigurisë së të paraburgosurve dhe asnjëherë nuk ka tendenca keqtrajtimi. Për hir të transparencës, Ministria e Drejtësisë fton Zyrën e Avokatit të Popullit dhe KMDLNJ-në që të bëjnë vizita në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe të verifikojnë gjendjen e të paraburgosurve dhe sjelljet e zyrtarëve korrektues”, thuhet në fund të komunikatës./Insajderi.com