Shënohet “Dita e Patates” në Pestovë

Shënohet “Dita e Patates” në Pestovë

Në fshatin Pestovë të Vushtrrisë sot është shënuar “Dita e Patates”.

Dibran Përquku, nënkryetar i Vushtrrisë ka thënë se kjo ditë është ditë krenarie për të gjithë prodhuesit e patates së kësaj komune.

“Jemi krenar që kultivuesit e patates kanë rritur rendimentet dhe cilësinë. Sektori i bujqësisë është model i zhvillimit ekonomik në komunën tonë, pasi është një fushë që ka gjeneruar vende pune”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

Përquku ka thënë se Ministria e Bujqësisë duhet t’i jep siguri produkteve vendore.

Në ndërkohë që zëvendësministri i kësaj Ministrie, Vesel Krasniqi, ka thënë se kultivimi i patates në Kosovës është tregues i sukessit.

“Kjo është rezultat i bashkëveprimit të institucioneve me kultivuesit. Ministria vazhdon përkrahjen përmes granteve dhe subvencioneve”.

Ai ka thënë se për vitin 2017, janë dhënë 46 milionë euro për bujqësi derisa vitin tjetër do të ndahen 50 milionë euro.

Sipas tij, projekti i radhës është sistemi i ujitjes në Vushtrri për të cilin janë ndarë 500 mijë euro.

Në këtë ngjarje ka folur edhe pronari i kompanisë “Pestova” që merret me prodhimin dhe përpunimin e patateve, Bedri Kosumi i cili ka deklaruar se duhet të hiqet akciza për naftën që përdoret në bujqësi.

“Paralajmërimi i Ministrit të Financave për heqjen e taksave në lëndë të parë që nuk prodhohen në Kosovë do ta mundësojë që jemi të parët në rajon”, ka thënë ai.