Shembja e shtëpisë në Prizren: Vdes fëmija 3 vjeçar, nëna dhe tjetri fëmijë në gjendje të rëndë

Shembja e shtëpisë në Prizren: Vdes fëmija 3 vjeçar, nëna dhe tjetri fëmijë në gjendje të rëndë

Një vajzë 3 vjeçare ka vdekur si pasojë e shembjes së shtëpisë në Lagjen historike, afër Shatërvanit në Prizren.

Vdekjen foshnjës 3 vjeçare të gjinisë femërore, e ka konfirmuar edhe Vesel Gashi, zëdhënësi i Policisë rajonale në Prizren.

“Po sot rreth orës 15:20, afër sheshit Shatërvan, ka ndodhur një aksident ku është shembur një muri i shtëpisë”, ka thënë ai për Klan Kosova.

Sipas Policisë, shembja e murit ka ndodhur pas reshjeve të shiut dhe se në gjendje të rëndë janë edhe nëna me fëmijë tjetër, 10 vjeçar.

“Deri tek kjo ka ardhur se kjo shtëpi ka qenë e vjetër dhe si pasojë e reshjeve të fundit ka ardhur edhe shembja e shtëpisë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë.

Shtëpia ka qenë e vjetër dhe e pabanuar. Shtëpia ndodhet në zonën historike të qytetit ndërsa autoritetet në Prizren kanë qene të njoftuara edhe më herët se shtëpia paraqet rrezik për qytetarët për shkak të vjetërsisë së saj.

Një qytetar ka dërguar tek Insajderi foto nga vendi i ngjarjes dhe ka njoftuar për rastin.