Shefi i Sigurimit thotë se dhuna u shkaktua pas zgjedhjes së kreut të Kuvendit

Shefi i Sigurimit thotë se dhuna u shkaktua pas zgjedhjes së kreut të Kuvendit

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike në Maqedoni, Mitko Çavkov, në një konferencë shtypi tentoi t’i ikë përgjegjësisë për mosreagimin në kohë të njësiteve special policore që janë nën urdhrat e tij gjatë dhunës së ushtruar mbrëmë në Kuvend.

Madje ai akuzoi se dhuna u nxit nga shumica e re me zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Çavkov më shumë foli për protestat e një viti më parë të Revolucionit shumëngjyrësh sesa për dhunën brutale ndaj deputetëve dhe gazetarëve.

Ai gjithashtu u mbrojt duke e quajtur veten si kuadri më profesionist në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

“Policia e monitoronte protestën njëjtët sikur çdo ditë gjatë këtyre dy muajve. Shtabi operativ që u formua për protestat nuk kishte as edhe një incident të regjistruar brenda këtyre 6 ditëve. Nuk kishte asnjë paralajmërim se në protestën e djeshme do të ndodhte një incident i tillë, prandaj policia e ruante Kuvendin me numrin e njëjtë të policëve”, ka thënë ai gjatë një konference për media.

“Për fat të keq pas përfundimi të seancës në Kuvend dje ndodhën disa incidente nga protestuesit e revoltuar. Askush nga Kuvendi nuk na njoftoi se do të votohet për zgjedhjen e një krye-parlamentari të ri”, tha shtuar Mitko Çavkov./Alsat-M/