Shefi i NATO-s kërkon nga kryeministri rishqyrtimin e transformimit të FSK-së

Shefi i NATO-s kërkon nga kryeministri rishqyrtimin e transformimit të FSK-së

Qeveria ka bërë të ditur se për nismën e presidentit për transformimin e FSK-së e ka kuptuar pak para se ta bënte publike në ditën e manifestimit të Epopesë së UÇK-së në kazermën e FSK-së.

“Projektligji është propozuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, si Komandant Suprem i FSK-së. Për propozimin e këtij Projektligji, Kryeministri është njoftuar nga Presidenti më datë 5 mars, para se ai ta bënte publike këtë iniciativë në fjalimin e tij në Kazermën “Adem Jashari”, me rastin e Epopesë së UÇK-së”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Por kryeministri thotë se nismën për ta përpiluar ‘planin A’ dhe ‘planin B’ e ka marrë qysh më 14 shkurt, pas debatit në Kuvendin e Kosovës.

“Bazuar në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që rezultoi nga debati për FSK-në të datës 14 shkurt të këtij viti, Kryeministri kishte kërkuar nga Ministri i FSK-së që të përgatitet Strategjia për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, përkatësisht në ushtri, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimit të Ligjit mbi FSK-në duke zhvilluar një debat të gjerë me të gjitha palët, me qytetarët, shoqërinë civile, komunitetet dhe përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që të tejkalohen kushtëzimet dhe bllokadat që po i bëhen transformimit të FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese”, vazhdon njoftimi.

Kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se po atë ditë, më 14 shkurt, kushte marrë letën nga shefi i NATO-s, Stoltenberg, i cili i kishte thënë se NATO do ta vazhdojë bashkëpunimin me FSK-në vetëm në mandatin ekzistues.

“Më datë 14 shkurt 2017, Kryeministri mori letër nga Sekretari i NATO-s, Stoltenberg, në të cilën Sekretari i NATO-s shpreh falënderimet për pritjet gjatë vizitës së tij në Kosovë por edhe qëndrimet e qarta se NATO do të vazhdojë bashkëpunimin me FSK-në vetëm në mandatin ekzistues”, thuhet aty.

Kryeministri thotë se dje ka biseduar me shefin e NATO-s, i cili ka kërkuar prej tij që të rishqyrtohet ndryshimi i mandatit.

“Në bisedën e djeshme telefonike (8 mars 2017) Sekretari i NATO-s, z. Stoltenberg ka kërkuar nga Kryeministri që të rishqyrtohet ndryshimi i mandatit të FSK-së përmes ligjit, për çfarë shprehin shqetësime anëtarët e Aleancës Veriatlantike. Qëndrime të ngjashme, Kryeministri ka marrë këtë javë edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar”, precizon komunikata e Qeverisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, posa të marrë nga Kuvendi Projektligjin me të cilin propozohet që FSK-së t’i jepet roli i ushtrisë, do ta trajtojë sipas rregullores nga Ministria e FSK-së, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Financave, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të ketë mbështetje buxhetore”.

Kryeministri vlerëson se themelimi i Ushtrisë së Kosovës nuk mund të mbetet peng i Serbisë, përkatësisht Beogradit. Avancimi i rolit të FSK-së në Ushtri është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përcaktuar që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj, në suaza të hapësirës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në mbështetje dhe bashkërenditje me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, përfundon komunikata./Insajderi.com