Shefi i ri i diplomacisë amerikane dëshiron qërim hesapesh me Putinin

Ish shefi i CIAs dhe Sekretari aktual i Shtetit të SHBA Mike Pompeo planifikon t'i armatosë ukrainasit dhe gjeorgjianët dhe t'i vë përballë Rusisë!

Shefi i ri i diplomacisë amerikane dëshiron qërim hesapesh me Putinin

Njeriu i parë i Departamentit të Shtetit në raportimin e vet para Kongresit amerikan ka thënë se sanksionet kundër Moskës, dëbimi i diplomatëve dhe përforcimi i forcës nukleare të ushtrisë amerikane nuk mjaftojnë, dhe se ka kaluar koha e “politikës së butë” të SHBA ndaj Rusisë.

Pompeo ka propozuar që SHBA t’i armatosë djemtë trima të cilët po i rezistojnë ekspansionizmit rus në Ukrainë dhe në Gjeorgji, transmeton Insajderi.com.

“Rusia edhe më tutje po vepron me agresivitet, gjë që është mundësuar me vite me politikën tonë të butë ndaj agresionit. Kjo tani ka përfunduar. Regjistri i aksioneve të kësaj administrate është që Vladimir Putin ta paguaj çmimin. Po e përtërijmë ushtrinë tonë edhe ashtu të fortë dhe po e forcojmë kërcënimin tonë bërthamor. I kemi vënë sanksione dhe i kemi dëbuar më shumë diplomatë dhe spiun rus nga SHBA se që është bërë në kohën e Luftës së Ftohët. Po i armatosim burrat e gratë trima të cilët po i rezistojnë ekspansionizmit rus në Ukrainë dhe Gjeorgji. Ky regjistër është më i gjatë dhe jam i sigurt se do të kem rast që ta zgjerojë. Aksionet e kësaj administrate tregojnë qartë se strategjia e sigurisë kombëtare e presidentit Trump me të drejtë e ka identifikuar Rusinë si rrezik ndaj vendit tonë. Përpjekjet tona diplomatike me Rusinë do të jenë sfidë e madhe, por, si edhe të gjitha konfrontimet e mëparshme me Moskën, duhet të vazhdohen”, ka thënë Pompeo.

Përfaqësuesi i shumicës parlamentare të Gjeorgjisë Zviad Kvachantiradze ka theksuar se Tbilisi i gëzohet politikës strategjike amerikane ndaj Gjeorgjisë.

“Kjo deklaratë tregon se politika strategjike amerikane ndaj Gjeorgjisë mbetet e pandryshuar dhe duhet të gëzohemi për këtë. Mendoj se gjithçka është marrë vesh më herët në mes të vendeve tona. Marrëdhëniet tona janë rregulluar nëpërmes të një sërë dokumentesh obliguese, duke përfshirë më të rëndësishmen, Kartën mbi partneritetin strategjik. Mendoj se sa i përket marrëdhënieve me SHBA jemi në rrugë të mirë”, ka thënë Ziviad Kvachantiradze./Insajderi.com.