Shefi i FMN-së: Buxheti i Kosovës s’i përballon pensionet e veteranëve

Shefi i FMN-së: Buxheti i Kosovës s’i përballon pensionet e veteranëve

Asnjë marrëveshje ndërkombëtare apo donacion financiar Kosova s’do ta ketë derisa nuk formohen institucionet, thotë Ruud Vermeulen, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Në një intervistë për Gazetën Express Vermeulen ka kërkuar urgjentisht kompletimin e reformave për çështjen e pensioneve të veteranëve të luftës. Shefi i FMN’së ndërkaq ka theksuar se Qeveria e ardhshme mund të rrisë paga brenda rregullores së faturës së re të pagave, që hyn në fuqi vitin e ardhshëm

“Ne nuk komentojmë çështjet e proceseve politike, veçanërisht kur vonesat lidhen vetëm me matematiken zgjedhore dhe dispozitat e kushtetutës. Prandaj, Kosova duhet të vazhdojë rrugën e reformimit, dhe sa më gjatë të zvarritet formimi (i institucioneve), aq më shumë pasiguri do të ketë dhe vendimet e rëndësishme do të shtyhen edhe më shumë”, ka thënë Vermeulen.

Vermeulen po ashtu është shprehur se pikëpamjes sonë, do të jetë e rëndësishme të ruhen politikat financiare dhe fiskale gjatë kryerjes së reformave strukturale për ta përmirësuar konkurrencën e Kosovës dhe prospektet e rritjes ekonomike.

Po ashtu ai ka folur edhe për buxhetin e vitit 2017 ku përfshihen edhe shpenzimet e pensionëve të veteranëve të UÇK-së.

“Thirrja për riklasifikimin e veteranëve të luftës në ligjin e ndryshuar për veteranët e luftës pritej t’i ulte shpenzimet në një nivel të qëndrueshëm, por një gjë e tillë ende nuk ka filluar. Prandaj, në mungesë të përshtatjeve në nivelet e pensionit apo numrit të përfituesve, buxheti nuk mund t’i mbulojë kostot e kësaj skeme”, ka thënë shefi i FMN-së për Express.

Në fund ai ka shtuar se, “nuk na takon neve të vendosim se kush ka kontribuar e kush jo në luftë, por kompletimi i reformave në pensionet e veteranëve të luftës është diçka që duhet të bëhet urgjentisht për t’u siguruar se veteranët, të cilët kanë nevojë dhe i meritojnë ato, t’i marrin pensionet e tyre.