Shefi i Emergjencave alarmon se Shqipëria rrezikohet nga tërmetet

Shefi i Emergjencave alarmon se Shqipëria rrezikohet nga tërmetet

Shefi i Emergjencave Civile Shemsi Prençi paralajmëroi se pas periudhës së thatësirës së madhe vendi rrezikohet nga tërmetet.

Sipas Prencit, fundi i 2017 fillimi i 2018 përkon me 50 vjetorin e tërmetit të fuqishëm të 1967, duke qenë se sipas Gjeoshkencës, kjo distancë përkon me rikthimin e këtyre lëkundjeve.

“Pas një vere të nxehtë dhe të zgjatur lind një problem i rrezikshëm. Së pari, duhet të kemi parasysh që periudha e ripërsëritjes së tërmeteve është me kohë dhe limite të përcaktuara.

Duke llogaritur tërmetet e vitit ’67 në periudhën e kthimit një herë në 50 vite, ne përkojmë me rrezikshmërinë e lartë të tërmeteve në territorin e Shqipërisë në të dy korridoret Elbasan, Tiranë, Dibër, Shkodër, Korçë etj.

Ne duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme, kanë nisur lëkundjet e para të tërmetit në rajonin e Elbasanit, kryesisht janë shfaqur në Qukës.  Do t’i lutemi Zotit të mos ketë pasoja por ne gjithsesi duhet të jemi të përgatitur sepse normalisht ekziston rreziku i tërmeteve në 2017 dhe në fillim të 2018 siç parashikohet dhe nga Gjeoshkenca”, tha Prençi, njofton Gazeta-Shqip.

Tërmeti i rënë në 30 nëntor 1967 njihet si më i rëndi në Shqipëri. Lëkundje të fuqishme u ndjenë në Dibër e Librazhd duke shkatërruar 177 fshatra, ku gjetën vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë u plagosen.