ShBA do të ndihmojë ushtarakisht Irakun për të çliruar Mosulin nga ISIS-i

28.09.2016 18:36
ShBA do të ndihmojë ushtarakisht Irakun për të çliruar Mosulin nga ISIS-i

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord që të dërgojnë trupa shtesë në Irak për t’i ardhur në ndihmë ushtrisë vendase për të rimarrë Mosulin nga ISIS.

CNN raporton se janë rreth 500 trupa ushtarake amerikane të cilat do shkojnë në ditët në vijim në Irak për t’iu bashkuar ushtrisë irakiane për të luftuar kundër forcave terroriste të ISIS në një nga qendrat kryesore të këtij shteti, në Mosul.

Marrëveshja e arritur mes SHBA-ve dhe Irakut ka qenë në tryezën e diskutimeve prej disa ditësh, por Presidenti Obama dhe kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, nuk kishin rënë dakord për detajet, raporton një burim zyrtar i SHBA për CNN.

Këto trupa pritet se do të jenë të fundit forca ushtarake amerikane që do të shkojnë në Irak, ku ka 4,565 të tillë.