SHBA: Sërish panik në Capitol Hill, ka pasur të shtëna me armë

SHBA: Sërish panik në Capitol Hill, ka pasur të shtëna me armë

Një tjetër ngjarje ka shkaktuar panik në Capitol Hill, pasi një maniake e armatosur është përplasur me një automjet policie në Uashington. Janë dëgjuar gjithashtu të shtëna përreth zonës, shumë pranë ndërtesës “Rayburn”, përpara se e dyshuara të ndalohej dhe të dërgohej në paraburgim për t’u marrë në pyetje.

Policia e Uashingtonit tha për “ABC News” se, e dyshuara femër është arrestuar pas një bastisjeje që bënë policët përreth ndërtesës qeveritare.

Shumë njerëz që ishin në rrugë u larguan menjëherë, ndërsa policia ndiqte agresoren në këmbë, pasi doli nga automjeti.

Një foto e publikuar në rrjetet sociale tregon oficerët e policisë të hidheshin mbi diçka në tokë, ndërsa shumë policë të tjerë nxituan të afroheshin në ndihmë.

Episodi alarmues vjen në më pak se 24 orë pasi Shtëpia e Bardhë u mbyll ditën e martë, pasi një person u tha agjentëve të shërbimeve sekrete se kishte një bombë, por kjo ngjarje zgjati vetëm 15 minuta.

Një zëdhënës i policisë së Uashingtonit tha se askush nuk është goditur nga të shtënat, por ende nuk është e qartë se kush ka qëlluar.