SHBA, Rusia dhe Kina: “Lufta” për Arktikun

SHBA, Rusia dhe Kina: “Lufta” për Arktikun

Progresi teknologjik është duke e bërë detin e ngrirë të Arktikut, një front të hapur. Si dhe një teatër përplasjeje mes fuqive të mëdha

Përparimet e mëdha teknologjike me reflektimet e tyre të menjëhershme në arenën ushtarake industriale, së bashku me ndryshimet e shpejta të klimës, po bëjnë që peizazhi i palëvizshëm i Oqeanit të Arktikut, të jetë një kufi i hapur. Këtu do të luhet një nga lojërat vendimtare në skakierën e përfaqësuar nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, një zgjatim i lojës së madhe të fushave të tyre të influencës në skenën botërore.

Frontet e hapura në Arktik janë tre: ekonomia, ushtria dhe tregtia. Kjo e fundit ka fituar rëndësi duke përgjysmuar rrugën e Kinë-Evropa. Nëse janë 13 mijë milje detare që ndajnë Europën nga Lindja e Largët nëpërmjet Suezit, tani rruga përmes Oqeanit Arktik shkon deri në 6,000 milje detare.

Protagonistët e dy fronteve të tjera janë Uashingtoni dhe Moska. Instalimi më i fundit ushtarak rus është vendosur në ishujt Zemlya dhe ai u përurua në prill 2017, nga Vladimir Putini. Që nga viti 2012, Kremlini ka kryer në rajon aktivitete të “furishme” të fuqizimit ushtarak dhe shfrytëzimit ekonomik (kryesisht hidrokarbure, zona është përcaktuar nga Ministri rus i Mjedisit, si “Shpella e Ali Babës”).

Pyetja është se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara, ndaj një sfide frontale të këtij lloji. Aktorë të tjerë të interesuar dhe vende të afërta me Uashingtonin janë Norvegjia, Islanda, Kanadaja dhe Danimarka, tashmë pronare gjithnjë e më shumë teorike e Groenlandës. Kjo përbërje heterogjene bie ndesh me interesat e vetëm Rusisë, protagoniste autonome e interesave të veta. Nëse nga njëra anë, si përgjigje ndaj politikave të Kremlinit, janë regjistruar vetëm stërvitje ushtarake – edhe pse të rëndësishme – nga ana tjetër, rusët kanë riaktivizuar në atë zonë, aeroporte të vjetra dhe baza të mëdha logjistike.

Baza kryesore e SHBA në rajon është ajrore dhe ndodhet në Thule, në Grenlandë, 1.500 km nga Poli i Veriut. Sa për Kanadanë, projekti për të ndërtuar një bazë strategjike të avancuar 600 milje  nga Poli i Veriut në Cornuallis Island, është e dështuar, për shkak të kostove të larta për zgjerimin e pistës së aeroportit vendas, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së re, që ka për qëllim bërjen e bazës operacionale. Vende të tjera të spikatura në rajon, Danimarka dhe Norvegjia, janë të kufizuara në ushtrime të koordinuara, por pa baza të reja për të kundërshtuar ato ruse.

Kohët e fundit, Arktiku gjithashtu ka pasur pasoja në një front të largët: Korenë e Veriut. Për herë të parë, në fakt, bëhet fjalë për një zhvillim të përbashkët detar ruso-kinez, në dritën e një lufte të mundshme në gadishullin korean. Nga ana e vet, qëllimi i Presidentit Donald Trump për të rritur instalimet ushtarake në një total prej 700 miliardë dollarë, duhet të ketë të bëjë edhe me rajonin e Arktikut, për të frenuar lëvizjet e Pekinit dhe Moskës, aktualisht në një pozicion avantazhi mbi palëvizshmërinë e Uashingtonit dhe Otavës. Një hipotezë e mundshme e veprimeve balancuese mund të jetë, në lidhje me bazën Cornuallis, një marrëveshje e Kanadasë, ose me Shtetet e Bashkuara ose me Danimarkën, për zonën e Grenlandës së Veriut. Një lëvizje që mund të prekë edhe Norvegjinë dhe Islandën.

Një aktor tjetër në rajon është padyshim Italia. Misioni shkencor i Marinës së Lartë të Veriut 2017, përfunduar në korrik 2017, u largua nga baza detare e La Spezias në drejtim të Oqeanit Arktik, meritonte një vëmendje të veçantë, sidomos në kuadrin e NATO-s. Qëllimi i këtij veprimi ishte “mbrojtja e sigurisë së lundrimit”, por ka patur implikime gjeostrategjike dhe socio-ekonomike në lidhje me hapjen e mundshme të rrugëve të reja tregtare në Veri.

Sa i përket harkut lindor të Arktikut, atje ku Rusia dhe SHBA pothuaj preken për shkak të Ngushticës së Beringut, Alaska – shteti i 41 i SHBA dhe ish zotërim i Rusisë cariste – ka prej kohësh nëntë baza ushtarake, ndër të cilat spikasin Elmendorf si bazë ajrore dhe Eielson, me funksione mbështetjeje për ushtrimet periodike, si dhe vend depozitimi për raketat ndërkontinentale, shkruan bota.al.

Për Arktikun, është e nevojshme një marrëveshje nën udhëheqjen e OKB, për të parandaluar konflikte të mundshme në të ardhmen. Një marrëveshje që nuk vjen menjëherë, por që nga ana tjetër, nuk mund të pritet gjatë.