SHBA: Rrjedhjet e Snowdenit e kanë “dëmtuar” sigurinë

SHBA: Rrjedhjet e Snowdenit e kanë “dëmtuar” sigurinë

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara e ka publikuar një raport tejet të ashpër, duke e akuzuar ish-kontraktorin e inteligjencës amerikane, Edward Snowden, për rrjedhjen e sekreteve që kanë “shkaktuar dëm të jashtëzakonshëm” për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

Mëtutje, ky komitet mbrëmë ka theksuar se ai kishte vjedhur materiale nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë, që ishin për programet e inteligjencës dhe të mbrojtjes, me interes të madh për armiqtë e jashtëm të Shteteve të Bashkuara.

Aktualisht, Snowden jeton në ekzil në Rusi.

Ky raport ka koinciduar me filmin “Snowden”, të regjisorit Oliver Stone, në të cilin Snowden portretizohet si person që i ka zbuluar fshehtësitë dhe hero.

Regjisori Stone dhe disa grupe për të drejta të njeriut kanë kërkuar nga presidenti, Barack Obama, amnistimin e Snowdenit, para se të largohet nga presidenca.

Edward Snowden e ka hedhur poshtë raportin e Komitetit për Inteligjencë të Dhomës Përfaqësuese.