ShBA ripërsëritë qëndrimin kundër nismës së Thaçit për transformimin e FSK-së me ligj

ShBA ripërsëritë qëndrimin kundër nismës së Thaçit për transformimin e FSK-së me ligj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për themelimin e ushtrisë me anë të një Ligji.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pa amendament kushtetues”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, sipas ambasadës amerikane në Kosovë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës.

ShBA-ja ka ripërsëritur për Insajderin qëndrimin së themelimi i ushtrisë pa ndryshime kushtetuese është i papranueshëm.

“Miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca”, thuhet aty.

Qëndrimi kundër i Amerikës vjen pas deklaratës se Thaçit se ushtria do të formohet dhe se kthim para nuk ka.

Por, reagimet ndërkombëtare kundër formimit të ushtrisë në formën e propozuar nga presidenti, nuk i ka bërë shumë përshtypje vetë atij.

Gjatë një konference për media ai ka thënë se nuk do të ketë asnjë hap prapa nga nisma për transformimin e FSK-së.

“Përkundër shqetësimeve të bëra publike, ShBA-të në asnjë rrethanë nuk e vënë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime për themelimin e ushtrisë ShBA-të e kanë bërë të qartë se plotësisht e mbështesin këtë proces, por duan që ky ndryshim të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova nuk po bën asnjë hap të papritur.

“Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, nuk po bën asnjë befasi, asnjë veprim të njëanshëm apo të pa-koordinuar, asnjë veprim antiligjor apo anti-kushtetues. Nuk po bën asgjë që mund të konsiderohet si rrezik për paqen e sigurinë në Kosovë e rajon”, ka shtuar presidenti.

Kurse sot, Qeveria e Kosovës ka thënë se dje kryeministri gjatë një bisede telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jean Stoltenberg, kishte kërkuar që ta rishqyrtojë nismën për transformimin e FSK-së përmes ligjit duke shmangur ndryshimet kushtetuese.

“Më datë 14 shkurt 2017, Kryeministri mori letër nga Sekretari i NATO-s, Stoltenberg, në të cilën Sekretari i NATO-s shpreh falënderimet për pritjet gjatë vizitës së tij në Kosovë por edhe qëndrimet e qarta se NATO do të vazhdojë bashkëpunimin me FSK-në vetëm në mandatin ekzistues”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas Qeverisë, kryeministri Mustafa qysh më 14 shkurt e kishte marrë iniciativën për përpilimin e versioneve të transformimit të FSK-së qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese, por edhe përmes ligji, për shkak të bllokimeve që po i bëhet këtij procesi nga Lista Serbe.

“Bazuar në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që rezultoi nga debati për FSK-në të datës 14 shkurt të këtij viti, Kryeministri kishte kërkuar nga Ministri i FSK-së që të përgatitet Strategjia për shndërrimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, përkatësisht në ushtri, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimit të Ligjit mbi FSK-në duke zhvilluar një debat të gjerë me të gjitha palët, me qytetarët, shoqërinë civile, komunitetet dhe përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që të tejkalohen kushtëzimet dhe bllokadat që po i bëhen transformimit të FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese”, vazhdon njoftimi i Qeverisë./Insajderi.com