ShBA planifikon “shkurtime dramatike” të ndihmës së huaj

ShBA planifikon “shkurtime dramatike” të ndihmës së huaj

Drejtori për buxhet i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se administrata Trump do të propozojë një ulje “mjaft dramatike” të ndihmës së huaj të ShBA-së, kur të paraqes buxhetin fiskal për vitin 2018, më vonë gjatë këtij muaji.

“Ne do të propozojmë ulje të ndihmës së huaj dhe do të propozojmë që ato para t’i shpenzojmë këtu”, ka thënë për Fox News, Mick Mulvaney, Drejtori i Zyrës për Menaxhimin e Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë.

Mulvaney ka thënë se ulja e ndihmës do të jetë “mjaft dramatike”.

Këto shkurtime, sipas tij, do të ndihmojë për të financuar rritjen e propozuar të buxhetit ushtarak të ShBA-së. Buxheti aktual vjetor i Pentagonit është rreth 603 miliardë dollarë.

Presidenti Donald Trump ka thënë më 27 shkurt, se propozimi i buxhetit të tij të parë para Kongresit, do të përfshijë “një rritje historike në mbrojtje për të rindërtuar ushtrinë”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump do ta pyes Kongresin për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje për 54 miliardë dollarë gjatë vitit të ardhshëm. E njëjta shumë do të shkurtohet nga shpenzimet jo mbrojtëse, përfshirë këtu edhe shkurtimet e mëdha në ndihmën e huaj.

Shumica e shkurtimeve buxhetore do të vijnë nga buxheti vjetori prej 50.1 miliardë dollarësh i Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së SHBA-së për programe zhvillimore (USAID), kanë thënë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Një zyrtar ka thënë se buxheti i Departamentit të Shtetit mund të shkurtohet për 37 për qind, e cila do të çojë në një riorganizim të madh të departamentit dhe eliminimin e disa programeve.

Agjencia e lajmeve Associated Press, duke cituar disa zyrtarë, që të njohur me këtë çështje, njoftoi më 4 mars se Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson është pajtuar në parim për uljen e buxhetit për departamentin e tij, por ai dëshiron që shkurtimi buxhetor të bëhet në një periudhë tre vjeçare dhe jo si një reduktim vjetor.

Tillerson ka sugjeruar që shkurtimet buxhetore për Departamentin e Shtetit dhe USAID-in, të fillojnë me 20 për qind ulje në buxhetin e ardhshëm vjetor, kanë thënë zyrtarët.