SHBA përkujton të rënët në luftë

Si çdo vit të hënën e fundit të muajit maj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë të shënuar në kalendarin e tyre “Ditën e përkujtimit”. Festa kombëtare përkujton gratë dhe burrat e ushtrisë amerikane të cilët kanë humbur jetën dhe kanë rënë në shërbim të vendit.

Sakrificën e tyre e ka nderuar një komb i tërë. Presidenti Barack Obama zhvilloi një ceremoni solemne në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, aty ku prehen 330 mijë ushtarë.

“Çdo njeri këtu është heroi i dikujt, ata pushojnë në këtë heshtje. Por jo vetëm këtu në Arlington, kudo në varrezat e veteranëve rreth botës. Ata nuk folën me zë të lartë për patriotizmin e tyre, por lanë veprimet e tyre ta bëjnë këtë”, deklaroi Obama.

Kandidatja demokrate per Presidente, Hillary Clinton, mori pjesë në paradën vjetore të Chappaqua në Nju Jork. Asaj iu bashkua edhe bashkëshorti i saj, ish-Presidenti, Bill Clinton, dhe guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo.

Edhe pse prania ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, kryesisht në Afganistan, është reduktuar në mënyrë të ndjeshme, forcat e operacioneve speciale vijojnë të jenë pjesë e misioneve jetike atje.