Tërmet në Zvicër...

06.03.2017 21:52

ShBA nis mbrojtjen kundër Koresë së Veriut

07.03.2017 08:28
ShBA nis mbrojtjen kundër Koresë së Veriut

Ushtria amerikane tha se ka nisur vendosjen e një sistemi të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut. Sistemi THAAD është projektuar për mbrojtje nga kërcënimet e Koresë së Veriut.

Ky veprim vjen një ditë pasi Veriu ka lëshuar katër raketa balistike, duke thyer sanksionet ndërkombëtare.

“Veprimet e vazhdueshme provokuese nga Koreja e Veriut vetëm se konfirmojnë maturinë e vendimit tonë, vitin e kaluar, për të vendosur sistemin THAAD në Korenë e Jugut”, tha admirali Harry Harris, komandant i Komandës amerikane të Paqësorit.

Sistemi THAAD ndërprenë dhe shkatërron raketa balistike, me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, gjatë fluturimit.

Koreja e Veriut ka lëshuar të hënën katër raketa me rreze të mesme, tri prej të cilave kanë fluturuar rreth 1,000 kilometra dhe kanë zbarkuar në ujërat japonezë.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se “vendi i tij nuk do t’i lejojë këto shkelje”.

“Ky lëshim i raketave tregon qartë se Koreja e Veriut përbën një nivel të ri të kërcënimit”, tha Abe.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes i cilësoi këto lansime si “kërcënim shumë serioz”.

Zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis, tha se raketat nuk kanë paraqitur kërcënim për Amerikën Veriore, porse SHBA do të ndërmarrë hapa për të rritur kapacitetin mbrojtës.

Diplomatë në Kombet e Bashkuara thanë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë të mërkurën një takim urgjent për të diskutuar veprimet e Koresë Veriore.

Në muajin janar, udhëheqësi veri-korean, Kim Jong Un, ka thënë se vendi i tij do të ndërtojë dhe testojë së shpejti një raketë interkontinentale, me kapacitet për të arritur SHBA-në.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se “kjo nuk do të ndodhë”.

Koreja e Jugut, në anën tjetër, tha se sistemi i mbrojtjes raketore do të jetë operacional deri në fund të vitit, por bateria THAAD nuk është shumë popullore në rajon.

Shumë jug-koreanë besojnë se sistemi i mbrojtjes do të bëhet objektiv, duke rrezikuar njerëzit që jetojnë përreth lokacioneve ushtarake. Kundërshtarët kanë organizuar disa protesta.

Kina është po ashtu e zemëruar, sepse, sipas vëzhguesve, ajo i druhet ndryshimit të balancës së pushtetit në rajon.