SHBA-ja mbështet rrugën euro-atlantike të Kosovës

SHBA-ja mbështet rrugën euro-atlantike të Kosovës

 

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Bob Corker, si dhe ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright.

Hoxhaj në këtë takim ka njoftuar Corker për progresin e Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë dhe nevojën për thellim të marrëdhënieve në mes të dy vende.

“Zhvilluam një takim shumë përmbajtjesor me Corker, i cili është një njeri me shumë ndikim në politikën amerikane. Diskutuam për progresin e Kosovës në këto vite dhe rëndësinë që SHBA-ja mbështet rrugën euroatlantike të Kosovës në të gjitha drejtimet”, ka thënë Hoxhaj.

Po ashtu, kryediplomati kosovar Hoxhaj ka takuar njërën nga mbështetëset e mëdha të Kosovës me dekada, ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, të cilën e ka falënderuar për përkrahjen ndaj Kosovës dhe e ka njoftuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon.

Ministri Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në një koncert të organizuar në Washington nga ministri i Jashtëm i Italisë për nder të 60 vjetorit të Traktatit të Romës./Insajderi.com