SHBA: Irani vazhdon provokimet alarmuese

SHBA: Irani vazhdon provokimet alarmuese

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson akuzoi Iranin për provokime të vazhdueshme që synojnë destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe cënimin e interesava amerikane në rajon.

Duke folur një ditë pasi njoftoi se do të kishte rishikim të politikave kundrejt Iranit, përfshirë sanksionet, kryediplomati amerikan tha se ky shtet kishte potencialin për tu shndërruar në një rrezik të ngjashëm me Korenë e Veriut.

“Sot do të doja të ndalesha tek provokimet e vazhdueshme alarmuese të Iranit, që eksportojnë terror dhe dhunë, duke destabilizuar më shumë se një shtet. Irani është sponsori kryesor i terrorizmit dhe është përgjegjës për intensifikimin e konflikteve të shumëfishta dhe minimin e interesave amerikane në vende si Siria, Jemeni, Iraku e Libani. Nëse nuk mbahen nën kontroll, ka potencialin të ndjekë të njëjtën rrugë si Koreja e Veriut”, tha Tillerson.

Sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Irani ka ndërmarrë sulme kibernetike kundër SHBA-së dhe partnerëve të gjirit, qëndron para sulmeve terroriste në vende të ndryshme të botës e mbështet armët e shkatërrimit në masë. Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi më herët një rishikim të marrëveshjes bërthamore me Iranin, edhe pse Uashingtoni e pranon se Teherani po i përmbahet kushteve të ujdisë së nënshkruar në vitin 2015.

Për kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë, marrëveshja e sigluar me këmbënguljen e paraardhësit të tij, Barack Obama, është më e keqja e arritur ndonjëherë. Republika Islamike nuk ka komentuar lidhur me zhvillimet e fundit, por në vazhdimësi ka mohuar akuzat e Perëndimit se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore.