SHBA dhe Japonia – bashkë kundër Koresë së Veriut

SHBA dhe Japonia – bashkë kundër Koresë së Veriut

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, e siguroi Japoninë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me aleatët aziatikë për të çarmatosur Korenë e Veriut nga arsenali bërthamor.

“E vlerësojmë kohën sfiduese në të cilën jeton populli japonez – me rritjen e provokimeve matanë Detit të Japonisë”, i tha Pence kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, gjatë qëndrimit në Tokio.

“Ne jemi me ju 100%”, tha Pence.

Abe, në anën tjetër, tha se është e rëndësishme “të bëhen përpjekje diplomatike” dhe të merren “vendime paqësore” për çështjen.

“Në situatën aktuale në rajon, problemi i Koresë së Veriut është bërë edhe më i rëndë. Mendoj se vizita juaj në Japoni është jashtëzakonisht në kohë të duhur”, tha Abe.

Phenjani ka shpeshtuar testet bërthamore dhe raketore në vitet e fundit, pavarësisht dënimeve nga komuniteti ndërkombëtar dhe sanksione të OKB-së.

Më 17 prill, Pence ka thënë se “epoka e durimit strategjik” ndaj Koresë së Veriut “ka marrë fund”.