ShBA akuzon Rusinë për “barbarizëm” në Siri

26.09.2016 08:20
ShBA akuzon Rusinë për “barbarizëm” në Siri

Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar ashpër Rusinë për veprimet e saj në Siri.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është mbledhur të dielën në një mbledhje urgjente, pasi fushata e bombardimeve në Aleppo të Sirisë ka marrë hov të madh.

“Ajo çfarë po bën Rusia nuk është anti-terrorizëm, është barbarizëm”, tha ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha Power.

Regjimi sirian ka nisur javën e kaluar ofensivë të re në Alepo, qytetin ku vazhdojnë të jetojnë rreth 275,000 njerëz.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, tha se forcat siriane po bëjnë përpjekje të largojnë terroristët nga Alepo, shkruan rel.

Ai nuk përmendi përfshirjen e forcave ruse në bombardimet ajrore.

Më 19 shtator, armëpushimi njëjavor në Siri, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Rusia, ka kolapsuar.

Forcat qeveritare dhe ato rebele kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.