Sharje, gaz dhe burg – si dështoi Vetëvendosje ta ndal demarkacionin

Sharje, gaz dhe burg – si dështoi Vetëvendosje ta ndal demarkacionin

Kundërshtimi që kishte filluar para tri viteve nga Lëvizja Vetëvendosje për ta ndaluar ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është dorëzuar sot pak para orës 19, shkruan Insajderi.

Në një moment kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli derisa po tentohej të hidhej në votim marrëveshja për demarkacion, kishte ofenduar deputeten e VV-së Albulena Haxhiu.

“U ti mu ma hangsh”, i kishte thënë Veseli, deputetes së VV-së që ishte ndalur vetëm pasi kishte kuptuar se kishte harrur mikrofonin lëshuar dhe ofendimin e tij po e dëgjojnë të gjithë.

Veseli kishte qenë i papërmbajtshëm edhe sot. Në tentimin e katërt kur është hedhur gazi nga deputetët e VV-së, Veseli kishte ofenduar përsëri. Ai i nervozuar ofendonte deputetët e VV-së.

“O ti q**** r**”, dëgjohet duke thënë Veseli në seancën e sotme në momentin që u hedh gazi lotsjellës.

Gazi ishte bërë shkaktar që disa herë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të futen në burg, madje edhe kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte dënuar në fillim të këtij viti, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Donika Kadajn-Bujupin dhe Faton Topallin.

Albin Kurti ishte dënuar për përdorim të armës me 1 vjet e gjashtë muaj, Albulena Haxhiut i ishte shqiptuar dënimi për 1 vit e tre muaj, Donika Kadaj-Bujupit ishte dënuar me 1 viti e gjashtë muaj, ndërsa Faton Topalli ishte dënuar me 1 vit e dy muaj të gjithë të dënuar me burgim me kusht

Gazi lotsjellës pas një kohe të gjatë është rikthyer edhe sot. Deputetët e VV-së hodhën për katër herë gaz lotsjellës vetëm gjatë ditës së sotme. Nga insistimi i tyre që demarkacioni të mos ratifikohet u arrestuan shtatë deputetë për shkak se hidhen gaz lotsjellës.

Në tentimin e pestë të ditës së sotme, Galuk Konjufca kishte mbetur i vetëm në seancë, ai kërkonte fjalën nga Kadri Veseli, por që nuk e mori asnjëherë. Kësisoj Vetëvendosje pas tri vite kundërshtim u dorëzua sot kur u ratifikua demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi.

91 deputet kishin qenë të pranishëm ku 80 prej tyre kanë votuar për, ndërsa 11 të tjerë votuan kundër.