Shansi tjetër i partive për kontestimin e rezultateve të zgjedhjeve

Shansi tjetër i partive për kontestimin e rezultateve të zgjedhjeve

Zgjedhjet Lokale kanë sjellë një praktikë pak më ndryshe nga zgjedhjet e deritashme. Kjo për faktin se rezultati mund të ndryshojë deri në çastin e fundit.

Një mësim interesant që është nxjerrë, është fakti se bastionet e partive nuk janë të sigurta. Ato mund të bien sa hap e mbyll sytë.

Me këto zgjedhje, qytetarët kanë treguar se kanë nisur të dalin nga ‘gëzhoja e partive’ dhe të interesohen për ofertat e tyre. Atyre po u interesojnë shërbimet që u ofrohen nga partitë politike dhe jo fjalitë klishe.

Fuqizimi i votës së qytetarëve u pa edhe më shumë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale – në balotazh.

Meqë kjo garë zhvillohet vetëm mes dy kandidatëve, kjo ka sjellë rezultate aq të ngushta, saqë fitorja e tyre varet nga votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votave me postë.

Pikërisht këto vota e përmbysën rezultatin e në komunën e Istogut. Atje fillimisht fitoi kandidati i LDK-së, Haki Rugova, por votat me kusht e nxorën triumfues kandidatin e AAK-së, Gani Dreshaj.

Edhe pse LDK-ja e ka kontestuar këtë rezultat duke thënë se kanë fakte për manipulim të votave, megjithatë rezultati deri më tani mbetet kështu.

Një rezultat i ngushtë është edhe në Prishtinë dhe Prizren. Në këto dy komuna, me votat e numëruara deri më tani, prijnë kandidatët e Vetëvendosjes. Kjo parti në Prishtinë ndiqet nga LDK-ja, kurse në Prizren nga PDK-ja.

Në këto dy komuna të mëdha, pas raundit të balotazhit, LDK në Prishtinë dhe PDK në Prizren ushtruan ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për parregullsi. Kjo e fundit mori vendim që Prishtina dhe Prizreni të shkojnë në rinumërim të votave. Vetëvendosje e kundërshtoi këtë duke bërë ankesë në Gjykatën Supreme.

Vetëvendosje e kontestonte vendimin e PZAP-së duke thënë se ende pa u numëruar votat me kushte, ato me nevoja të veçanta dhe votat me post, po kërkohet të shkohet në rinumërim.

Megjithatë, Gjykata Supreme ankesën e Vetëvendosjes e pranoi si të bazuar dhe këto dy komuna nuk do të shkojnë në rinumërim, por do të numërohen votat me kusht, ato me nevoja të veçanta dhe votat me postë.

Kurse pjesa tjetër e vendimit të PZAP-së do të zbatohet. Fjala është për rinumërimin e disa vendvotimeve të Rahovec dhe Dragash. Kjo është duke ndodhur edhe sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Por partitë politike e kanë edhe një shans tjetër t’i kontestojnë rezultatet e zgjedhjeve.

Ndonëse ankesa e LDK-së në Prishtinë dhe ajo e PDK-së në Prizren u hodhën poshtë nga Gjykata Supreme, atëherë partitë politike janë duke kërkuar alternativa tjera ta kontestojnë rezultatin.

Partitë politike ankesat e tyre mund t’i bëjnë tek pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi edhe Mul Desku – kryesues i sekretariatit të PZAP-së.

Sipas tij, ndaj rezultateve përfundimtare të KQZ-së mund të ushtrojnë ankesë të gjitha partitë për secilën komunë që ka qenë pjesë e zgjedhjeve.

“Pasi KQZ-ja t’i publikojë rezultatet përfundimtare për kandidatët për kryetarë të komunave, ndaj atij vendimi lejohet ankesa. Duhet ankesë e re qoftë me prova të njëjta, qoftë me prova shtesë ndaj vendimit të KQZ-së”, ka thënë Desku për Insajderin.