Zgjidhet sërish në krye të Apelit njeriu për të cilin Grabovci thoshte jam 100 për qind pro tij

Zgjidhet sërish në krye të Apelit njeriu për të cilin Grabovci thoshte jam 100 për qind pro tij

Hasan Shala është zgjedhur sërish në krye të Gjykatës së Apelit. Ai ka mundur në këtë garë Tonka Berishën, duke marrë besimin e nëntë prej 11 anëtarve të KGJK-së. Në anën tjetër, Berisha siguroi vetëm dy vota.

Zgjedhja e Shalës për kryetar ishte anuluar javë më parë nga Gjykata Kushtetuese, pikërisht pas ankesës së gjyqtares Tonka Berisha.

Insajderi ka raportuar në janar të këtij viti se Shala është njëri i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai i ishte rekomanduar më herët Adem Grabovcit të PDK-së për t’u zgjedhur për një detyrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me arsyetimin se me emërimin e tij, PDK “e zgjidh problemin” për rajonin e Dukagjinit.

Emri i Shalës ishte përmendur në Dosjen e Shefave, një sëri përgjimesh të publikuara nga Insajderi në vitin 2016, përmes së cilave argumentohet se si PDK ka ndikuar në emërimin e njerëzve të afërt me këtë parti në poste të rëndësishme të institucioneve publike.

Grabovci kishte pranuar rekomandimin për Shalën nga një mik i tij, të cilit i kishte thënë se “është qind për qind pro” Shalës.

Mbledhja e KGJK-së po vazhdon me procedurat e votimit për kryetar të Gjykatës Supreme.