Sfarqa: Ferizaji nuk do ta lejojë ndërtimin e shtatores së Enver Hoxhës

Sfarqa: Ferizaji nuk do ta lejojë ndërtimin e shtatores së Enver Hoxhës

Muharrem Sfarqa, kryetar i komunës së Ferizajt, ka reaguar ndaj deklaratës së iniciatorit për ndërtimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha në Ferizaj, Erald Salca, i cili ka thënë gjithashtu se kryetari i Ferizajt përkrahë ndërtimin e kësaj shtatore.

Madje Salca kishte thënë se për këtë ngjarje, kryetari Sfarqa ka shprehur dëshirë që të marrë pjesë në ngjarjen e zbulimit të shtatores, që sipas Salcës do të bëhet me 16 tetor, në ditëlindjen e diktatorit Hoxha.

Por Sfarqa i ka thënë Insajderit, se këto deklarime janë gënjeshtra.

“Për herë të parë në jetën time po dëgjoj për këtë njeri dhe për këto deklarata. Kjo është gënjeshtër, nuk i kam dhënë përkrahje një iniciative të tillë. Madje e kundërshtojë ashpër dhe nuk do të lejohet ndërtimi i kësaj shtatore në Ferizaj”, ka thënë Sfarqa për Insajderin.

Sipas tij, Komuna e Ferizajt, nuk do të jap kurrë leje për ndërtimin e kësaj shtatoreje.

“Edhe pse kjo është përgjegjësi e Kuvendit Komunal, ne e kemi shumicën, andaj sa të jem kryetar i Ferizajt nuk do të lejohet kurrë ndërtimi i kësaj shtatoreje në Ferizaj”, ka thënë Sfarqa.