Serbia përsëri kthehet në vitet e ’90-ta

Serbia përsëri kthehet në vitet e ’90-ta

Kur një gjeneral i dënuar për krime lufte u mbajti ligjërata kadetëve të rinj ushtarakë në Beograd, e priti reagimi i përzemërt i ministrit serb të Mbrojtjes. “Populli ynë duhet të jetë krenar për një veteran siç është gjenerali, më trim nga trimat”, ka deklaruar ministri.

Andaj nuk habit fakti se aktgjykimin për një gjeneral tjetër në Gjykatën e Hagës, Ratko Mladiqin për shkak të gjenocidit në Srebrenicë, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq e quajti “të padrejtë”, shkruan në komentin e të përditshmes amerikane “New York Times”. “I bëj thirrje të gjithëve që të shikojnë kah ardhmëria, e të mos mbyten në lot për të kaluarën”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton Gazetametro.net.

Mladiq është dënuar me burgim të përjetshëm para shuarjes së Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, dhe kjo duhet të jetë mbyllja e kapitullit për krimet më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe krijimit të hapësirës për pajtim pasi që janë dënuar kriminelët të cilët kanë kryer krime me të mëdha.

Por Serbia, vlerësojnë analistët politikë, jo vetëm që nuk pranon përgjegjësinë për krime të kryera në emër të popullit serb, por politikisht po zhytet në fillim të viteve të ’90-ta dhe në nacionalizëm i cili lulëzonte në atë kohë. Qeveria e Beogradit, shkruan NYT, me mirëseardhje po i pret kriminelët e dënuar të luftës dhe bashkëpunëtorët e Slobodan Milosheviqit. Edhe pse ishte dashur të jetë anëtare e ardhshme e BE-së Serbia është e kthyer kah Rusia dhe ndikimi rus është gjithnjë e më i madh. Për këtë zyrtarët nga Brukseli e akuzojnë Beogradin për lojë të dyfishtë.

Duke reaguar në kthimin gjithnjë e më të fortë të serbëve kah Moska, Uashingtoni e dërgoi zëvendësin e shefit për çështje evropiane dhe euroaziatike Brian Hoyt Yee në bisedë me Vuçiqin. “Nuk mund të uleni në dy karrige, sidomos nëse ato dy karrige janë aq larg njëra-tjetrës, i kishte thënë Hoyt Yee Vuçiqit.

“Kjo nuk është deklaratë e mikut apo e personit i cili e respekton Serbinë, e drejta jonë është që të vendosim në mënyrë të pavarur”, kishte deklaruar Aleksandar Vulin, ministri serb i Mbrojtjes. Serbia, vazhdon gazeta, nuk është vendi i vetëm jashtë ish-BRSS-së e cila ka me Rusinë marrëveshje për tregti të lirë. Në mes tjerash, Serbia refuzon të përkrahë sanksionet kundër Rusisë për shkak të Ukrainës. Në vend lulëzojnë teoritë konspirative mbi komplotet e Perëndimit kundër Serisë, ndërsa NYT paralajmëron se përkrahja për hyrjen në BE ka rënë prej 73 për qind në vitin 2009 në 49 për qind me hulumtimet e fundit të bëra këtë verë.

Vëzhguesit i brengos kthimi i retorikës i viteve të ’90-ta dhe diskursi publik. Disidentët po quhen tradhtarë, spiunë dhe armiq.

Ish-gjenerali serb, Vladimir Lazareviq i ka mbajtur dy të tretat e dënimit prej 14 viteve burgim për shkak të krimeve të luftës kundër njerëzimit kundër banorëve shqiptarë në Kosovë. Pas lirimit, më 2015 Lazareviqi u prit si hero, dhe në aeroport pritën dy ministra, shefi i ushtrisë serbe dhe zyrtarë tjerë të lartë serbë.

Muajin e kaluar Lazareviqi ka mbajtur fjalimin kontestues në Akademinë Ushtarake serbe. Titulli i ligjëratës së tij ishte “Trimëria dhe humaniteti i ushtarëve serbë në mbrojtje kundër agresionit të NATO-s”. Edhe pse BE-ja ka protestuar, gjenerali fitoi duartrokitjen e ministrit serb të mbrojtjes Vulin, përndryshe ish-bashkëpunëtor i ngushtë i të vesë së Milosheviqit, Mirjana Markoviq. Muajin e kaluar Vulin ka deklaruar para një grupi të veteranëve se më nuk duhet të turpërohen për shkak të oficerëve siç është Lazareviqi.

Vuçiqi vazhdon të mbetet cak sepse mendon që mund të “luajë në dy letra”, të lërë përshtypjen e njeriut përparimtar, ndërsa të vazhdojë me retorikën nacionaliste. “Serbia nuk është e detyrueshme që ta unifikojë politikën e vet të jashtme me atë të BE-së derisa nuk fillojnë negociatat për kapitullin 31, i cili ka të bëjë me politikat e sigurisë së jashtme dhe të mbrojtjes”, ka deklaruar ai.