Serbia organizon në Zveçan festivalin e filmit “Kosova e Metohija”

Me financim të Ministrisë së Kulturës në Serbi dhe bashkëpunim me Zyrën për Kosvoë e Metohi në Qeverinë e Serbisë, Forumi Kulturor Evropian do të organizoj për herë të dytë Festivalin e Filmit “Kosova e Metohija” në Zveçan.

Serbia organizon në Zveçan festivalin e filmit “Kosova e Metohija”

“Kosovo and Metohija International Film Festival” apo shkurt KMMFF është festivali i cili këtë vit mban edicionin e dytë nën sloganin “Here” (Këtu) e që do të mbahet nga 11 deri 14 nëntori në Qendrën Kulturore në Zveçan.

Siç raporton “Novosti”, drejtori i festivalit Miroslav Mogoroviq ka thënë se festivali kthehet në Zveçan pas suksesit  në edicionin e parë.

“Programi i këtij viti është një përmbledhje e filmave të kinematografisë kontemporane gjithashtu bashkë me filmat e prodhuar jashtë Serbisë”, citohet të ketë thënë Mogoroviq.

Mogoroviq që ka lindur më 1972 në Zemun të Serbisë, ka filluar karrierën e tij duke punuar si menaxher në Kongresin Nacional të Serbisë dhe ka përfunduar duke punuar në restaurimin e kinemave në Beograd.

Por Mogoroviq ka kërkuar mbështetje më të mëdha nga institucionet  e kulturës në Kosovë, duke iu referuar si “institucione të kulturës në Kosovë e Metohi”.

“Përderisa komunat serbe nuk e marrin seriozisht rëndësinë e ndërtimit të kinemasë që do të funksiononte gjatë tërë vitit, ky festival është një prej disa mundësive për audiencën që të shoh kinemanë moderne”, ka thënë ai.

Festivali i cili vitin e kaluar u mbajt në qershor është ri-planifikuar për nëntor dhe ka të ngjarë që të bëhet një festival i vjeshtës./Insajderi.com