“Serbia nuk e pranon formimin e Ushtrisë së “rrejshme” të Kosovës e as ultimatumet”

“Serbia nuk e pranon formimin e Ushtrisë së “rrejshme” të Kosovës e as ultimatumet”

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë mohon pretendimet e zyrtarëve shtetërorë të Kosovës se dy vendet kanë paraqitur katër shtyllat për marrëveshje historike.

Marko Gjuriq, shef i kësaj zyre, ka reaguar edhe ndaj deklaratave të kryeministrit Ramush Haradinaj, se 2018-ta do të jetë vit i liberalizimit të vizave dhe formimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Haradinaj dhe (Enver) Hoxhaj shfaqin nervozizmin e tyre – nervozizëm i cili vjen pikërisht për faktin se asnjë prej këtyre qëllimeve dhe objektivave nuk realizohen dhe nuk mund të arrihen. Nëse ndonjëri nga ta mendon se me ligësi e gënjeshtra ndaj opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar mund të arrijnë qëllimet e tyre, do të zhgënjehen thellësisht”, ka thënë Gjuriq, raporton televizioni publik serb, transmeton Koha.net.

Ai shton se nuk ekziston asnjë letër e as mënyrë përmes së cilës Serbia do të detyrohej të pranonte diçka që nuk është kompromis.

“Nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë asnjë letër, asnjë mënyrë që ta detyrojë Serbinë të pranojë diçka që nuk do të ishte kompromis, apo që Serbia të detyrohet të bëjë diçka unilaterale. Ai që mendon se deri te zgjidhja mund të arrihet në ndonjë mënyrë tjetër përveç kompromisit gabon rëndë dhe nuk punon në interes të popullit të vet”, ka deklaruar Gjuriqi.

“Ne e mbrojmë interesin e popullit tonë. Nuk na shkon ndërmend të pranojmë as formimin e ‘ushtrisë së rrejshme të Kosovës’, e as kurrfarë ultimatumi madje edhe në këtë rastin e letrave inekzistente të Hoxhajt”, përfundoi shefi i zyrës së Kosovës në Qeverinë serbe.