“Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës”

“Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës”

Jelena Miliç, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euroatlantike në Beograd dhe njëra prej kritikueseve më të mëdha të pushtetit të Vuçiqit, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se mënyra sesi Vuçiq ka thirrur për dialog, duke amnistuar paraprakisht regjimin e Millosheviqit, duke mos përmendur askund numrin e madh të civilëve të vrarë në Kosovë gjatë luftës 1998-’99, nuk po jep arsye për optimizëm se ftesa është bërë me të vërtetë me synimet më të mira.

Megjithatë, sipas saj, pavarësisht sinqeritetit apo jo të Vuçiqit, është mirë që tashmë dialogu rreth kësaj çështjeje ka nisur.

Sipas saj, Kosova duhet të diskutohet sa më shpejt që të jetë e mundur edhe për faktin se Serbia duhet të miratojë dokumente të reja strategjike në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes dhe ta ndryshojë kushtetutën nëse dëshiron të vazhdojë me konsolidimin e demokracisë.

“Historikisht do të ishte e papërgjegjshme ta humbiste një dekadë tjetër duke miratuar ligje të rëndësishme që do të ishin ndryshe nga realiteti, gjykimet e gjykatave përkatëse dhe tendencat gjeopolitike të Perëndimit, anëtar i të cilit Serbia duhet të bëhet në interes të të gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë ajo.

Gjatë intervistës drejtoresha e QSEA-së ka thënë se shteti serb jo vetëm që duhet t’i kërkojë falje publike popullit të Kosovës për viktimat e shkaktuara, mirëpo duhet që ende t’i vazhdojë gjykimet për krime lufte gjatë periudhës 1998-’99.

“Më tutje ajo ka thënë se Kosova duhet që të pranohet në INTERPOL dhe Serbia nuk duhet ta pengojë një gjë të tillë. “Përfshirja e përshpejtuar e Kosovës në strukturat e tjera rajonale dhe globale ndoshta do ta kishte të njëjtin efekt dhe Serbia po merr një rrezik të madh të përgjegjësisë duke bllokuar këta hapa”, ka thënë aktivistja serbe për gazetën “Zëri”.

Miliç ka folur edhe për idenë e ministrit serb Ivica Daçiq për ndarjen e Kosovës. Sipas saj, kjo është një ide e rrezikshme, e modës së kaluar dhe që nuk duhet ndodhur assesi. Në fund ajo është prononcuar edhe për ndikimin rus në Ballkan. Sipas saj, Rusia është duke përdorur “konfliktin” në mes Kosovës dhe Serbisë për agjendën e tyre personale për ta destabilizuar Ballkanin.