Serbi 24 vjeçar që i ka hyrë garës për Asamble në Skenderaj

Serbi 24 vjeçar që i ka hyrë garës për Asamble në Skenderaj

Skenderaj pritet të bëhet me asamblist nga minoriteti serb.

Skenderajt si kurrë më parë, në kuvend pritet t’i shtohet një asamblist nga radhët e minoritetit serb, raporton KTV.

Është 24 vjeçari Millosh Kovaqeviq banor i fshatit Banjë, tashmë i certifikuar, i cili thotë se serbët e kësaj komune nuk janë mirë të përfaqësuar, ndaj kjo e ka shtyrë të kandidojë për asamblist ku synon të kërkojë të drejta të barabarta për të gjithë. Kovaqeviq beson që do të marrë votat e mjaftueshme sa për t’i hyrë këtij rrugëtimi për 2 arsye.

E para sipas tij është se deri më tash askush nga komuniteti serb nuk ka garuar për një pozitë të tillë dhe e dyta sepse ka përkrahjen e 200 banorëve të fshatit por edhe jashtë tij.

Fqinjët nuk janë prononcuar rreth kandidimit të tij për asamblist në kuvendin komunal të Skenderajt, por deklarohen se do ta mbështesin fuqishëm pasi është mjaft i zgjuar.

Kovaqeviq mban numrin 57 dhe është anëtar i “Iniciativës qytetare Oliver Ivanoviq”. Ka thënë se Kosova është gjithçka për të, dhe nuk do të krijonte ndasi ndërmjet qytetarëve, ndaj dhe nëse fiton do të punojë për të gjithë./KTV