Serbët fajësojnë Beogradin për incidentet mes tyre

Serbët fajësojnë Beogradin për incidentet mes tyre

Të hënën, rreth orës 22, në Leposaviq, persona të paidentifikuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të objektit të Qendrës për punë sociale, në të cilin objekt gjendet Zyra e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, si dhe zyrat e Partisë së Serbëve të Kosovës, e cila është nja nga 5 subjektet politike serbe që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, më 11 qershor.

Lajmin për sulmin në Leposaviq e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Nenad Bojiq, shef i operativës i policisë rajonale të Mitrovicës së veriut, i cili ka theksuar se sulmi me armë zjarri mbi Qendrës për punë sociale në Leposaviq, megjithatë ka kaluar pa viktima.

“Në këtë incident nuk ka pasur persona të lënduar, por në objekt janë shkaktuar dëme materiale. Hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar vendin e ngjarjes, dhe ky hetim po vazhdon edhe sot, për shkak se mbrëmë, për shkak të kushteve dhe errësirës, nuk është arritur të përfundojë hetimi. Ekipet hetuese janë ende në terren dhe hetimet për këtë rast janë në zhvillim e sipër”, tha Bojiq.

Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, zyrat e së cilës janë në objektin që ishte shënjestër e sulmit të së hënës me armë zjarri, thotë për Radion Evropa e Lirë se të shtënat kanë qenë rafal nga disa armë dhe në kohën e sulmit në zyra kanë qenë vetëm 3 persona.

“Vetëm 20 minuta para sulmit, që ndodhi në orën 22, subjektin politik e kanë lëshuar aktivistët partiak që po përgatiteshin për zgjedhjet parlamentare. Vet fakti që dikush guxon që në qendër të Leposaviqit të shtijë me armë në hapësirën ku ka njerëz, flet që një çmenduri serioze i ka kapur njerëzit e caktuar këtu, në veri të Kosovës”, thotë Jabllanoviq.

Ai i bëri thirrje sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të rendit që t’i gjejnë autorët e sulmit, t’i vë para përgjegjësisë dhe t’i ndëshkojë sipas ligjit.

Jabllanoviq thekson se ditëve të fundit, kandidatët e subjektit politik që ai drejton, por edhe subjekteve tjera politike serbe, të cilat nuk i janë bashkuar Listës Serbe në garën zgjedhore, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë qenë cak i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme, gjë që ka rezultuar edhe me tërheqjen e disa kandidatëve për deputetë nga listat e këtyre subjekteve.

Njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se sulmi ndaj objektit në Leposaviq ku janë edhe zyrat e Partisë së Serbëve të Kosovës, nuk paraqet befasi.

Sipas tij, Beogradi zyrtar është pozicionuar qartë për ta përkrahur Listën Serbe në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe u ka dërguar porosi të qarta serbëve të Kosovës që të votojnë vetëm për këtë listë.

“Presioni është shumë i madh dhe kjo vetvetiu flet që mjaft njerëzve që janë të prirë për gjëra të tilla, u jep duar të lira që të mund të përballen me ata që kanë mendim tjetër politik, në çfarëdo mënyre dhe pa i zgjedhur mjetet, vetëm që të arrihet qëllimi. Qëllimi i Beogradit është që Lista Serbe të jetë faktori i vetëm politik që do të mund t’i drejtojë jetët e serbëve në Kosovë dhe jashtë saj”, tha Nojkiq.

Por, a qëndron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë Beogradi prapa kërcënimeve, shantazheve dhe sulmeve ndaj subjekteve tjera politike serbe në Kosovë?

Nojkiq, pohon se dyshimet për këtë janë mjaft të bazuara, për faktin se Beogradi zyrtar ka mekanizma që të parandalojë sulmet e tilla.

“Nëse diçka e tillë nuk pengohet, atëherë dyshimi është i bazuar se Beogradi qëndron prapa gjithë kësaj”, tha Nojkiq.

Jabllanoviq thotë se nuk është i sigurt që Beogradi në mënyrë të drejtpërdrejtë qëndron prapa sulmit në Leposaviq, por ai shpreh bindjen se Beogradi zyrtar qëndron në mënyrë jo të drejtpërdrejtë prapa gjithë ngjarjeve që po ndodhin në veri të Kosovës.

“Ajo që e di me siguri është që të gjitha kërcënimet, shantazhet që po bëhen në terren, po zbatohen me shpjegimin verbal se kjo është urdhëruar nga kreu i shtetit të Serbisë. A është ky rrëfim i thatë i atyre që kërcënojnë dhe shantazhojnë, unë këtë nuk e di. Por, ata nën këtë rrëfim po i bëjnë kërcënimet dhe shantazhet dhe kjo është e sigurt dhe e vërtetueshme”, thotë Jabllanoviq.

Që nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, autoritetet e Serbisë, përfshirë edhe presidentin e zgjedhur dhe kryeministrin në largim Aleksandar Vuçiq, u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë vetëm për kandidatët e Listës Serbe, e cila drejtohet nga Slavko Simiq dhe që, siç kanë deklaruar ata, është e vetmja që i përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës dhe ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë.(REL)