Serbët me dy pensione

25.09.2016 09:27
Serbët me dy pensione

Hapësirat ligjore që i ka parashikuar Ligji për Pensionet e Pleqërisë, më së miri po i shfrytëzojnë pleqtë serbë që kanë lënë Kosovën dhe kanë shkuar në Serbi. Ata janë “rikthyer” në Kosovë duke marrë kinse banesa me qira, për të marrë pensionin e pleqërisë, por edhe atë të kontributeve. Kontratat e qirasë i kanë bërë te noterët, edhe pse këta të fundit po thonë se janë raste të rralla.

Lidhja e Pensionistëve të Kosovës e kundërshton këtë gjë, duke thënë se nuk është etike dhe aspak e drejtë, që një qytetar i cilitdo nacionalitet të gëzojë të drejtën e marrjes së dy pensioneve, shkruan Zëri.

Musa Demiri nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se të gjithë qytetarët e Kosovës janë të barabartë para ligjit, dhe kriteret për të gjithë pensionistët janë të njëjta, pa dallim përkatësie.

“Të gjithë qytetarët potencialë për pension të Kosovës janë të barabartë para ligjit. Kjo kategori duhet t’i përmbushë kriteret për ta gëzuar të drejtën e pensionit”, ka thënë Demiri.

Sipas tij, kriteret e përcaktuara për të qenë përfitues i pensionit të moshës janë të njëjta për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie.